Ja pse gratë nuk duhet të konsumojnë alkool

Gratë duhet të abstenojnë nga alkooli për të reduktuar rrezikun e kancerit të gjirit, paralajmëron një raport i ri nga WCRF.

Një rishikim i fundit i literaturës shkencore, i publikuar nga Fondi Botëror i Kërkimit të Kancerit (WCRF), bën thirrje për ndryshime të rëndësishme në stilin e jetesës së grave, duke theksuar rëndësinë e abstenimit të plotë nga alkooli për të reduktuar rrezikun e kancerit të gjirit.

Sipas të dhënave më të fundit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), në vitin 2022, 2.3 milionë gra në mbarë botën u diagnostikuan me kancer të gjirit, ndërsa 670 mijë humbën jetën si pasojë e kësaj sëmundjeje.

Kanceri i gjirit mbetet forma më e përhapur e kancerit tek gratë, duke përbërë një nga sfidat më të mëdha shëndetësore të kohëve moderne.

Rishikimi i udhëhequr nga ekspertë nga Universiteti i Harvardit dhe Instituti i Kërkimeve Shëndetësore të Ishujve Balearik ofron një përmbledhje të fuqishme të provave mbi lidhjen midis stilit të jetesës dhe kancerit të gjirit.

Nga kjo analizë dolën katër rekomandime të rëndësishme:

1.Mbajtja e një peshe të shëndetshme dhe angazhimi në aktivitet fizik të rregullt.
2.Rritja e konsumit të frutave, perimeve dhe ushqimeve me fibra.
3.Reduktimi i mishit të kuq, produkteve të përpunuara dhe pijeve të ëmbla joalkoolike.
4.Abstenimi i plotë nga alkooli dhe duhani.

Ndër të gjitha këto masa, abstenimi nga alkooli rezulton të jetë më kontroversi dhe më ndryshe nga udhëzimet e mëparshme në vende si Mbretëria e Bashkuar, ku kufiri i rekomanduar është 14 njësi në javë.

Por ËCRF thekson se edhe konsumi i vogël i alkoolit është i lidhur me një rrezik të shtuar për kancer të gjirit – një qëndrim që përputhet me raportin e fundit të organizatës Alcohol Change UK, i cili tregon se nuk ka një nivel “të sigurt” të konsumit të alkoolit kur bëhet fjalë për shëndetin e grave.

Sipas Sally Cam nga organizata britanike Breast Cancer Noë, “rreth 8% e rasteve të kancerit të gjirit besohet të jenë të lidhura me konsumimin e alkoolit”.

Ajo shton se megjithëse mekanizmat biologjikë ende nuk kuptohen plotësisht, ekziston një marrëdhënie e qartë midis konsumit të alkoolit dhe rritjes së rrezikut.

Dora Romaguera, nga Instituti i Kërkimeve Shëndetësore në Ishujt Balearik, e përmbyll analizën duke theksuar: Raporti ynë ofron dëshmi të qarta se gratë mund të ndërmarrin hapa të rëndësishëm në mënyrën si jetojnë dhe ushqehen për të ulur rrezikun e kancerit të gjirit. Sa më shumë masa të ndërmerren në të njëjtën kohë, aq më i madh është përfitimi.

Ndërsa ka shumë faktorë të ndryshëm që ndikojnë në zhvillimin e kancerit të gjirit – disa të pandryshueshëm, si gjenetika, dhe të tjerë që varen nga mënyra e jetesës – raporti i ËCRF jep një mesazh të qartë: eliminimi i plotë i alkoolit është një ndër masat më efektive që një grua mund të ndërmarrë për të ulur rrezikun e saj për kancer të gjirit.

Në një botë ku informacioni shpesh është kontradiktor, raporti më i fundit vjen si një thirrje e fortë për vetëdijësim dhe veprim.


Shtuar 15.04.2025 11:25

Tags: ,