A mund të ndryshojnë humorin tonë bisedat e shkurtra me njerëz që s’i njohim? Një gazetare e vuri në provë këtë ide për një javë të tërë, duke zbuluar se takimet e rastësishme mund të kenë një ndikim të thellë në mirëqenien tonë.
Të lidhura
None found
Rutina jonë e përditshme na vë përballë dhjetëra fytyrave të panjohura — në radhën e kafes, në stolat e parkut, në stacionin e autobusit apo teksa presim fëmijët pas aktiviteteve të tyre. Megjithatë, rrallëherë shkëmbejmë diçka më shumë se një vështrim të shpejtë.
Shkrimtarja Katharine Chan vendosi ta sfidonte këtë zakon. Për shtatë ditë me radhë, ajo i vuri vetes një detyrë fare të thjeshtë: të niste çdo ditë një bashkëbisedim me dikë që nuk e njihte fare.
Chan e pranon se i shoqi është nga ata njerëz që mund të shkojë t’i lërë fëmijët në stërvitje futbolli dhe të kthehet me numra telefoni të prindërve të tjerë. Ajo, nga ana tjetër, shpesh i merr të vegjlit duke mbajtur kapele dhe syze dielli, me shpresën se askush s’do t’i afrohet për muhabet.
Puna e saj si shkrimtare e mban të izoluar para kompjuterit, ku komunikimi kufizohet kryesisht te email-et dhe mesazhet e shkurtra. Bisedat që zhvillon sy më sy janë thuajse gjithmonë me partnerin e saj dhe herë pas here me ndonjë prind tjetër. Kjo e shtyu të vinte në pikëpyetje bindjen se krijimi i raporteve të reja kërkon medoemos kohë dhe përpjekje të jashtëzakonshme.
Hapin e parë e hodhi duke iu drejtuar kujdestarit të shkollës ku shkonin fëmijët. Ajo që nisi si një pyetje krejt e zakonshme u shndërrua shpejt në një rrëfim prekës rreth emigrimit. Ai i tregoi si kishte ardhur në Kanada, ndërsa Chan solli ndërmend udhëtimin e prindërve të vet, të cilët ishin shpërngulur shumë vite më parë. Një njeri që ajo e kishte parë dhjetëra herë pa i kushtuar vëmendje, tani kishte një histori të tërë për të ndarë.
Të nesërmen, teksa priste të bijën të mbaronte mësimin e ukuleles, u ul pranë një nëne tjetër. Mjaftoi një “si e pate ditën?” që të dyja të përfshiheshin në një bashkëbisedim të lehtë mbi fëmijët, rraskapitjen dhe vështirësitë e prindërimit. Qeshën bashkë dhe u përshëndetën me ndjesinë se ndoshta do të flisnin sërish herën tjetër që do të takoheshin. Nuk kishte ndodhur asgjë madhështore, por mu kjo ishte ideja: njerëzit mund të lidhen pa pasur nevojë për orë të tëra bisede.
Jo çdo përpjekje ishte e suksesshme. Në sheshin e lojërave provoi të fliste me një baba që po ruante vajzën e tij të vogël. Ai ishte shumë i përqendruar te fëmija dhe momenti nuk ishte i përshtatshëm. Chan nuk e quajti dështim. Eksperimenti po i mësonte gjithashtu se ka raste kur njerëzit thjesht s’kanë dëshirë apo mundësi të flasin, dhe kjo është krejtësisht e pranueshme.
Një ditë tjetër, një qen shërbeu si urë lidhëse mes saj, vajzës së saj dhe një çifti të moshuar. Në palestër, sfida ishte më e madhe. Pothuajse të gjithë mbanin kufje dhe dukeshin të zhytur në ushtrimet e tyre. Arriti të këmbejë vetëm pak fjalë me një nga punonjësit, duke kuptuar se disa mjedise janë thjesht më pak mikpritëse për komunikim se të tjerat.
Një nga çastet më prekëse ndodhi në bibliotekë. Ajo dhe fëmijët ndihmuan një zonjë të moshuar që lëvizte me karrocë. Nga një gjest i vogël mirësie lindi një bisedë rreth familjes dhe nipërve. Para se të ndaheshin, gruaja e panjohur e pa në sy dhe i tha se ishte një nënë e shkëlqyer dhe të vazhdonte ashtu siç po bënte. Për Chan, ato pak fjalë nga një person që s’e kishte takuar kurrë më parë i ndriçuan gjithë ditën.
Takimi i fundit ndodhi në supermarket, pranë rafteve të mishit. Zonja me të cilën nisi të fliste doli të ishte kuzhiniere profesioniste. Ajo i shpjegoi si të dallonte prerjet e ndryshme dhe si të zgjidhte një biftek cilësor. Më vonë, vajza e Chan i tha se ishte mirë që kishte biseduar me atë grua. Pikërisht në atë moment, gazetarja kuptoi një tjetër dobi të këtyre takimeve: të huajt që na dalin përpara mund të kenë njohuri që ne nuk do t’i fitonim kurrë po të ruanim heshtjen.
Psikologjia i njeh këto ndërveprime si “lidhje të dobëta” — marrëdhënie që nuk janë të ngushta si ato me miqtë apo familjarët, por që prapëseprapë kanë fuqi të ndikojnë pozitivisht te mirëqenia. Sipas psikologut Harry Cohen, kontaktet e vogla shoqërore mund të na bëjnë të ndihemi më pjesë e komunitetit, të pakësojnë vetminë dhe të përmirësojnë gjendjen shpirtërore. Edhe psikoterapistja Terri Cole përmend një studim ku udhëtarët që biseduan me të panjohur gjatë rrugës në autobus ose tren u ndjenë dukshëm më mirë se ata që udhëtuan në heshtje.
Pas shtatë ditësh, Chan nuk kishte fituar shtatë miq të rinj dhe as jeta e saj nuk pësoi ndonjë transformim rrënjësor. Por kishte ndryshuar thellësisht këndvështrimi i saj ndaj njerëzve që e rrethonin. Tani ajo i priste me kureshtje takimet e rastësishme, duke pyetur veten se çfarë historie do të dëgjonte të nesërmen. Nga të gjitha, çasti që i mbeti më shumë në zemër ishte ai me kujdestarin e shkollës — një njeri që kishte qenë gjithmonë aty, por që ajo nuk e kishte njohur kurrë me të vërtetë. Kishin mjaftuar vetëm pak minuta që të dy të vijonin ditën me një ndjenjë më të lehtë.
Cohen sugjeron të nisemi me hapa fare të vegjël: një buzëqeshje, një përshëndetje për fqinjin, një “mirëmëngjes” apo një ofertë për ndihmë. Qëllimi nuk është të krijojmë miqësi të ngushta me këdo që na del përpara, por të mos e nënvlerësojmë forcën e këtyre lidhjeve të vogla njerëzore. Chan arriti në përfundimin se dalja nga zona e rehatisë nuk kërkon domosdoshmërisht gjeste madhore. Herë pas here, mjaftojnë vetëm disa minuta me një të panjohur për ta bërë ditën më interesante, për të ngritur humorin dhe për të na kujtuar se jemi pjesë e një bote shumë më të ndërlidhur nga ç’mendojmë.
