Xabi Alonso ka nisur riorganizimin e repartit të mbrojtjes te Chelsea, ndërsa Trevoh Chalobah është bërë lojtari i parë që largohet si pjesë e këtij plani.
Të lidhura
None found
Trajneri spanjoll synon ta reduktojë numrin e qendërmbrojtësve në skuadër në katër ose pesë futbollistë. Pas transferimit të Maxence Lacroix, ky repart kishte arritur në 10 lojtarë të ekipit të parë.
Alonso kishte bërë të ditur muajin e kaluar se dëshironte ta përgjysmonte numrin e qendërmbrojtësve dhe hapi i parë tashmë është ndërmarrë. Në javët e fundit të afatit kalimtar, shitjet pritet të jenë një nga çështjet kryesore për klubin londinez.
Chalobah, i formuar në akademinë e Chelseat, i ka dhënë fund qëndrimit 18-vjeçar në klub dhe ka mbyllur kapitullin e tij në “Stamford Bridge”.
Mbrojtësi anglez do ta vijojë karrierën në Serie A, pasi është transferuar te Como për rreth 41.5 milionë dollarë, ose 30 milionë funte.
Pas zyrtarizimit të largimit, Chalobah ndau në rrjetet sociale një mesazh prekës për Chelsean, klubin ku ka kaluar pjesën më të madhe të jetës së tij.
“Pas 18 vitesh, ka ardhur momenti t’i them lamtumirë Chelseat. Mbërrita këtu në moshën nëntëvjeçare, me një ëndërr, ndërsa po largohem si një burrë që e ka realizuar atë ëndërr në mënyra që nuk do t’i kisha imagjinuar kurrë”.
“Ky udhëtim më ka sfiduar, më ka ngritur dhe më ka bërë më të fortë. Falënderoj çdo bashkëlojtar, trajner, anëtar të stafit dhe tifoz që më ndihmoi të bëhem njeriu që jam sot. Dhurova gjithçka kisha dhe ndihem krenar për personin në të cilin ky klub më ndihmoi të shndërrohesha”.
“Për lojtarët e rinj: rruga nuk do të jetë gjithmonë e lehtë. Megjithatë, qëndroni gati, ruani pozitivitetin dhe mos reshtni së besuari. Koha e Zotit është gjithmonë e duhura. Faleminderit të gjithëve, me dashuri dhe mirënjohje”, përfundoi ai.
Me largimin e Chalobah, Chelsea tani ka në përbërje nëntë qendërmbrojtës./
