Kina tha se kreu manovra të reja ushtarake pranë Taiwanit, ndërsa një grup ligjvenësish amerikanë vizituan ishullin dhe u takuan me Presidenten Tsai Ing-Wen. Pekini kundërshtoi duke e quajtur vizitën shkelje të sovranitetit të Kinës.
Pesë ligjvenës amerikanë, me në krye Senatorin Ed Markey mbërritën në Taipei në një vizitë të paparalajmëruar. Kjo është vizita e dytë, që pas asaj të Kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi në fillim të gushtit, pas së cilës Kina filloi një sërë manovrash të paprecedenta ushtarake pranë ishullit.
Të lidhura
None found
Ministria e Mbrojtjes e Kinës vuri në dukje përmes një deklarate se vizita e ligjvenësve amerikanë është shkelje e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kinës dhe “demonstron natyrën e vërtetë të Shteteve të Bashkuara si prishës të paqes dhe stabilitetit në ngushticën e Tajvanit”. Në deklaratë nuk jepeshin hollësi nga manovrat e reja që kreu Kina sot.
Kryeministri i Tajwanit Su Tseng-Chang tha se ata nuk do të frikësohen nga reagimi i Pekinit ndaj vizitave të tilla.
Shtetet e Bashkuara nuk kanë marrëdhënie diplomatike me Taiwanin, por janë të detyruara me ligj, t’i japin ndihmë ishullit të qeverisur në mënyrë demokratike, për t’u mbrojtur.
Kina kurrë nuk e ka përjashtuar mundësinë e përdorimit të forcës për të vënë nën kontroll Tajvanin. Qeveria e Tajvanit thotë se Kina nuk e ka qeverisur kurrë ishullin dhe nuk ka të drejtë ta konsiderojë atë si pjesë të vetën dhe se vetëm 23 milionë banorët e ishullit kanë të drejtë të vendosin për të ardhmen e tyre. /VOA/
