Situata e krijuar nga zjarri në fshatin Rriban të Bashkisë Mallakastër është përkeqësuar gjatë natës, pasi flakët janë zgjeruar ndjeshëm dhe rrezikojnë të përfshijnë masivin pyjor të Lofkëndit.
Forcat e angazhuara në terren po veprojnë në dy zona, Rriban dhe Lofkënd, me synim ndalimin e përparimit të zjarrit. Autoritetet e konsiderojnë gjendjen kritike.
Të lidhura
None found
Në operacion marrin pjesë 5 mjete zjarrfikëse të ardhura nga Mallakastra, Fieri, Roskoveci, Berati dhe Kuçova, si edhe 30 efektivë të shërbimit zjarrfikës, 35 forca të bashkisë dhe 2 autobote me ujë.
Pritet gjithashtu që operacionit t’i bashkohen 35–40 trupa të Forcave të Armatosura.
Ndërhyrja tokësore është vështirësuar nga terreni i thyer, dendësia e bimësisë, përmasat e zonës së përfshirë nga zjarri dhe intensiteti i flakëve.
Përballë kësaj situate, autoritetet e kanë cilësuar të domosdoshme ndërhyrjen nga ajri, për të izoluar vatrën dhe për të penguar përhapjen e mëtejshme drejt masivit pyjor.
