Banorët e Divjakës zhvilluan të martën në mbrëmje protestën e pestë në sheshin kryesor të qytetit, duke kundërshtuar projektin e reformës territoriale që parashikon shkrirjen e bashkisë së Divjakës dhe bashkimin e saj me Lushnjen.
Pavarësisht pjesëmarrjes më të ulët, qytetarët e pranishëm e shprehën me forcë kundërshtimin ndaj kësaj nisme.
Të lidhura
None found
Protestuesit e mbështetën qëndrimin e tyre te shqetësimi për largimin e shërbimeve, si dhe te pasojat që, sipas tyre, bashkimi i bashkive do të sillte në realitetin ekonomik dhe shoqëror të Divjakës.
Gjatë tubimit u bë thirrje për një pjesëmarrje më të madhe të qytetarëve dhe banorëve në protestat e ardhshme, ndërsa punonjësve të administratës iu kërkua angazhim maksimal.
Banorët deklaruan se nuk do ta ndalin protestën deri në momentin kur qeveria të njoftojë anulimin e projektit për shkrirjen e bashkisë.
Pas protestës, të pranishmit marshuan në rrugët e qytetit, duke ftuar më shumë banorë të Divjakës t’i bashkohen kauzës së tyre. Ndryshe nga netët e tjera, kryetari i bashkisë nuk doli në podium për të folur mbi këtë çështje gjatë mbrëmjes së së martës.
