Zjarri në Borsh del jashtë kontrollit, flakët i afrohen zonave të banuara, alarmohen pushuesit dhe banorët: I lanë pas dore vatrat, zjarrfikësit s’kanë nga futen

Një vatër zjarri me përmasa të konsiderueshme ka përfshirë një masiv kodrinor në zonën e Borshit, duke krijuar një situatë alarmante për banorët dhe pushuesit në këtë zonë bregdetare të njohur.

Pushues dhe banorë të zonës shprehen të indinjuar për vonesën në ndërhyrje.

“Zjarri nisi që dje, ishte shumë më i vogël dhe mund të ishte fikur në kohë, por u la pas dore. Zjarri po i afrohet shtëpive, dhe zjarrfikëset nuk kanë nga futen”, thonë banorët e Borshit.

Flakët, të favorizuara nga era e fortë që po fryn prej orësh, janë përhapur me shpejtësi, duke e bërë tepër të vështirë ndërhyrjen e zjarrfikësve.

Sipas raportimeve nga terreni, zjarri ka dalë jashtë kontrollit dhe është afruar drejt zonave të banuara, duke rrezikuar disa banesa në periferi të fshatit.

Për momentin nuk raportohen persona të lënduar, por autoritetet vendore kanë shtuar forcat në terren, ndërsa situata mbetet e paqëndrueshme dhe në zhvillim.

Banorët janë paralajmëruar të jenë të kujdesshëm dhe, në disa raste, po merren masa paraprake për evakuim të mundshëm.

Strukturat e emergjencës bëjnë thirrje për bashkëpunim dhe mirëkuptim, ndërkohë që po shqyrtohet edhe mundësia për ndërhyrje ajrore, nëse situata përkeqësohet më tej.


Shtuar 26.07.2025 21:36

Tags: ,