Zjarret, Peleshi: Çdo veprim i qëllimshëm do të ndëshkohet pa mëshirë

Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi përmes një postimi në Facebook shkruan se gjatë dy ditëve të fundit janë proceduar penalisht 5 persona për zjarrvënie të qëllimshme dhe disa të tjerë janë duke u investiguar.

Më tej në postim Peleshi shkruan se, çdo veprim i qëllimshëm do të ndëshkohet pa mëshirë sipas ligjit.

“Gjatë 2 ditëve të fundit janë proceduar penalisht 5 persona për zjarrvenie të qëllimshme, të tjerë të dyshuar janë duke u investiguar nga Policia e Shtetit. Çdo veprim i qëllimshëm, për cdo motiv, do të ndeshkohet pa mëshirë sipas ligjit”, shkruan Peleshi.

Kujtojmë se sot, nga zjarret, humbi jetën një 64-vjeçar ndërsa po luftonte me flakët në oborrin e shtëpisë së tij në fshatin Asim Zeneli, në Gjirokastër.

Gjithashtu edhe bashkëshortja e tij ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore dhe është transportuar në Tiranë për mjekim të specializuar.

Zjarret kanë përfshirë shumë zona nga veriu në jug të vendit, por situata paraqitet më keq në Gjirokastër./albeu.com


Shtuar 3.08.2021 22:44