Numri i viktimave nga zjarret në Havai arriti në 96 ndërsa Guvernatori Josh Green njoftoi se qyteti historik Lahaina është shkatërruar pothuajse plotësisht. Vlerësimet paraprake sipas Guvernatorit Green tregojnë se dëmi i shkaktuar është 5.6 miliardë dollarë, ndërsa 2700 objekte janë shkrumbuar. Ndërsa vazhdojnë përpjekjet për të gjetur personat e zhdukur, të mbijetuarit po ndajnë histori tmerri se si kanë arritur të shpëtojnë nga zjarret që iu ndryshuan jetën përgjithmonë.
“Vetëm nga zona e parkimit deri në hyrje të kompleksit tonë të apartamenteve, qielli ndryshoi ngjyrë, nga blu në gri dhe më pas në të zezë dhe gjithçka që kemi parë ishte bërë prush nga zjarri dhe nuk e kishim idenë se çfarë po ndodhte. Nuk pati asnjë sirenë, asnjë paralajmërim. Të shihja komunitetin tonë, fqinjët e mi, shumë të moshuar që përpiqeshin të zbrisnin shkallët vetëm për të hipur në makinën e tyre, të thyente zemrën”, thotë zonja Vaa.
Zonja Vaa nuk është e vetmja që thotë se nuk kishte asnjë paralajmërim për zjarret. Për Guvernatorin e Havait, numri i madh i vdekjeve dhe shkatërrimi masiv erdhi si rezultat i përhapjes së zjarreve me shpejtësi nga erërat e fuqishme.
“Informacioni që kemi është se të martën kur shpërtheu zjarri, kishte disa vatra në të gjithë Mauin. Një zjarr u konsiderua i fikur, por duket se kjo u kuptua gabimisht, pasi kur erërat arritën shpejtësinë 130 km në orë, zjarri u përhap me shpejtësi duke rezultuar në këtë tragjedi, ndërsa digjeshin mbi 1.5 km për çdo minutë. Ky nivel shkatërrimi në këtë stuhi zjarri, diçka e re kjo për ne në këtë epokë të ngrohjes globale, ishte arsyeja përfundimtare pse kaq shumë njerëz humbën jetën”, thotë Guvernatori Josh Green.
Duke treguar videot dhe fotografitë që bëri nga telefoni i saj, zonja Akanesi Va tregon momentin kur ajo, së bashku me bashkëshortin LJ, dhe fëmijet nga mosha 9 deri në 15 vjeç u detyruan të dalin nga makina pasi temperaturat u bënë të padurueshme brenda automjetit.
“Gjithçka ndodhi shumë shpejt. E ndjenim nxehtësinë ndërsa ishim të ulur në makinë dhe papritmas dëgjoj një goditje në dritaren e një makine tjetër dhe shoh një gjyshe që po bërtiste për ndihmë. Ajo më thotë, të lutem më ndihmo me fëmijën që kishte aty. I them burrit, t’i ndihmo gjyshen, unë vrapova tek makina e saj, hap pjesën e pasme dhe mora fëmijën. Ajo ishte rreth dy vjeç e gjysmë, ndoshta tre vjeç”, thotë e mbijetuara, Akanesi Vaa.
Ajo u rikthye te vendi ku shpëtuan gjyshen me vajzën e vogël, duke parë se si makina e tyre ishte bërë shkrumb e hi.
“Kjo është makina prej të cilës nxorrëm fëmijën. Më pas vrapuam në këtë rrugë, në errësirë, nuk arrinim të shihnim gjë. Këtu kishte një gardh, ne arritëm të mbroheshim nga flakët, duke qëndruar të mbledhur tek nje mur aty pranë”, thotë zonja Vaa.
Ajo tregon më tej, se aty takoi 9 fqinjë të saj dhe më pas e kuptuan se ndodheshin në një rrugë që nuk kishte dalje.
“Aty pamë njëri tjetrin dhe djali im më pyeti, mami, a është ky fundi ynë. Çfarë mund t’iu thuash fëmijëve në ato momente? Burri im më pas tha, nëse ky është fundi, falënderoj Zotin për familjen që më dha”, thotë zonja Vaa me lot në sy, ndërsa kujton momentet e rënda duke ikur nga zjarret.
Sipas Guvernatorit të Havait, Josh Green, zjarret shkatërruan 2700 struktura, kryesisht objekte banimi, ndërsa vlerësimet fillestare sipas tij tregojnë se dëmi kap vlerën prej 5.6 miliardë dollarëve.
“Ky zjarr filloi më 8 gusht, të martën vonë. Rezultati është shkatërrimi i qytetit Lahaina. Kam shkuar aty dy herë dhe mund t’iu them se shumë pak ka shpëtuar. Mbi 2,700 struktura u shkatërruan në Lahaina dhe vlerësimi paraprak tregon se dëmi kap vlerën prej 5.6 miliardë dollarësh. Kryesisht ka njerëz që vuajnë dhe ne vazhdojmë të punojmë për t’i gjetur të mbijetuarit”, thotë Guvernatori Green.
“Shpresa ime është që Lahaina të rindërtohet ashtu siç ishte dhe të mos shndërrohet në një resort korporatash, ku ka vetëm hotele. Ne e dimë se nuk do t’i kthejmë të gjitha ndërtesat e vjetra. Ne nuk do t’i kthejmë të gjitha monumentet historike të Lahainas. Por çfarëdo që ne mund të shpëtojmë, mendoj se kjo është ajo që njerëzit duan. Ata duan që të mbetet më e mira e asaj që të kujton Lahainan e vjetër”, thotë i mbijetuari i zjarreve, LJ Vaa.
Deri sa të vijë koha për të rifilluar rindërtimin e Lahainas, Guvernatori Green thotë se përpjekjet momentalisht po bëhen për të gjetur të mbijetuar të tjerë. Fatkeqësisht thotë ai, ekipet e shpëtimit e dinë se ndërsa shkojnë shtëpi më shtëpi të rrafshuara me tokë, së shpejti do të duhet të ndajnë lajmin e trishtë se numri i viktimave po vazhdon të rritet.