Zjarr në Klinikën e Psikiatrisë në Kosovë, një i vdekur dhe 5 të plagosur

Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) e ka konfirmuar më 24 gusht se një pacient ka vdekur shkaku i një zjarri në njërën nga dhomat në Repartin e Urgjencës dhe Intensivës Psikiatrike të këtij institucioni një natë më parë.

Sipas njoftimit të QKUK-së, zjarri, që la një person të vdekur dhe pesë të lënduar, nisi rreth orës 23:00 në një dhomë të tipit të mbyllur, ku qëndrojnë përkohësisht pacientët që bëhen agresiv dhe humbin vetëdijen.

“Dyshohet se një pacient i ka vënë zjarrin në rrethana të panjohura dhomës së tipit të mbyllur, me ç’rast si pasojë e ngulfatjes nga tymi (asfiksioni) ai ka humbur jetën, përkundër përpjekjeve maksimale të stafit shëndetësor për ta shpëtuar pacientin”, thuhet në njoftimin e QKUK-së.

Më tutje, në këtë njoftim bëhet e ditur se shenja të helmimit nga tymi kanë shfaqur edhe pesë persona në këtë klinikë – një paciente, dy mjetë dhe dy infermierë. Këta të fundit, siç thuhet në komunikatën e QKUK-së, u lënduan “gjatë ofrimit të ndihmës për pacientin në fjalë dhe evakuimit të pacientëve të tjerë”.

QKUK-ja bën të ditur se tashmë rasti është duke u hetuar nga njësitet përkatëse të Policisë së Kosovës.


Shtuar 24.08.2023 09:29