Zjarr në fshatrat e Gramshit dhe Belshit/ Djegie masive ullinjsh, shkak mbeturinat dhe defekte elektrike

Mbetjet urbane dhe shkëndija elektrike i vënë zjarrin sipërfaqeve të mbjella me ullinj në Gramsh dhe Belsh, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme tek banorët në fshatrat Gjyralë, Lokalitet dhe Fierzë.

Të trija rastet dyshohet se kanë ndodhur në rrethana aksidentale, por hetimet janë ende aktive, teksa në një prej tyre shkak u bë defekti elektrik i një mjeti që shpërtheu në flakë ditën e djeshme, duke rrezikuar edhe anëtarët e një familjeje që udhëtonte në të.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Gramsh referuan materialet në Prokurori për zjarrin e rënë në rrethana që dyshohen aksidentale në fshatin Gjyralë, ku për shkak të mbetjeve urbane të grumbulluara në këtë zonë, ra vatra e zjarrit dhe si pasojë e përhapjes së flakëve janë djegur sipërfaqe toke me ullinj në pronësi të banorëve A. Ll. dhe F. B.;

Kurse në fshatin Fierzë të Belshit dyshohet se për shkak të një shkëndije elektrike të shkaktuar nga kontakti i pemëve me telat e energjisë elektrike, ka rënë zjarr dhe për pasojë është djegur një sipërfaqe e konsiderueshme toke me ullinj, në pronësi të E. I.

Ngjarja e tretë ka ndodhur në aksin rrugor Lokalitet-Belsh, ku dyshohet se për shkak të një defekti elektrik, ka rënë zjarr në automjetin me drejtues shtetasin E. Ç.. Si pasojë janë shkaktuar dëme materiale në automjet dhe nga përhapja e flakëve janë djegur disa pemë frutore në pronësi të shtetasit M. Ç.

Për të tre rastet materialet procedurale iu referuan Prokurorisë Elbasan, për veprime të mëtejshme.


Shtuar 12.07.2025 17:24