Zjarr i madh në Krime pas sulmit me dron

Një zjarr i madh shpërtheu të shtunën në një depo karburanti në Sevastopol, porti kryesor në Gadishullin e Krimesë në Ukrainë, i aneksuar nga Moska.

Autoritetet thanë se shpërthimi ishte rezultat i një sulmi me dron.

Sevastopol është shtëpia e flotës ruse të Detit të Zi dhe është goditur nga një seri sulmesh me dronë që kur ofensiva e Rusisë në Ukrainë filloi vitin e kaluar.

Zyrtarët rusë kanë fajësuar për sulmet Ukrainën.

Ndërsa, një zëdhënës i forcave të armatosura të Ukrainës tha se nuk kishte asnjë informacion që të sugjeronte se Ukraina ishte përgjegjëse për zjarrin

“Një depo karburanti është në zjarr në rrethin e Gjirit Kazakia” të qytetit port të Krimesë, Sevastopol, tha në Telegram, guvernatori i gadishullit i vendosur nga Rusia, Mikhail Razvozhajev.

Ai tha se gjerësia e zonës së kapluar nga zjarri ishte “rreth 1000 metra katrorë” dhe publikoi imazhe të reve të mëdha tymi që ngriheshin në ajër.

Razvozhajev u bëri thirrje banorëve të Krimesë të “qëndrojnë të qetë” dhe në një postim të mëvonshëm tha se “askush nuk u lëndua”.

Ai tha se autoritetet e kanë “situatën nën kontroll” dhe tha se nuk kishte asnjë kërcënim për infrastrukturën civile.

Në fillim të kësaj jave, Rusia tha se kishte “zmbrapsur” një sulm me dron në port.

Rusia aneksoi Krimenë nga Ukraina në vitin 2014.


Shtuar 29.04.2023 11:58