Zhdukja e turistes franceze, lëvizjet e fundit të saj para se të humbte çdo kontakt

Autoritetet greke po vijojnë hetimet për zhdukjen e Violet Gigano, e cila ka humbur kontaktet me familjen prej 6 ditësh. Hera e fundit që ajo dha shenja jete ishte duke shkëmbyer mesazhe me nënën e saj ishte data 24 qershor, ku i tregonte me gëzim të madh se kishte mbërritur në Kretë.

Autoritetet po krehin zonën nga Paleochora në Elafoniss, ndërsa sipas informacioneve, gruaja fatkeqe kishte rezervuar një dhomë në një hotel në Paleochora, në të cilën nuk shkoi kurrë edhe pse e kishte rezervuar për dy ditë, gjë që shqetëson autoritetet.

Fotoja e fundit që ajo postoi ishte nga Elafonisi, ku shkruante se kishte mbërritur pas tre orësh udhëtim. Por më pas thjeshtë u zhduk. Familja e saj së pari informoi autoritetet franceze pasi nuk mund të kontaktonin me të dhe më pas alarmi u dha edhe në Greqi.

29-vjeçarja duhet që të kthehej për në Francë më 28 qershor, por është zhdukur nga faqja e dheut. Sinjali” i fundit në celularin e saj tregoi se ajo ishte në Elafonissi. Përveç hetimeve që po kryejnë, autoritetet greke kanë shpërndarë edhe fletushka me karakteristikat e Giganos, e cila është 1.48 m e gjatë, ka flokë të zinj dhe sy blu.

Gjermani Tom Gregor, një burrë që jeton në zonë tha se e pa vajzën herët në mëngjesin e 24 qershorit, kur sapo ajo kishte parkuar makinën e saj. Për gjetjen e saj janë organizuar disa grupe në terren por nuk mungojnë as vëzhgimet nga ajri me dron, ndërsa në ndihmë të policëve është edhe një qen i stërvitur.


Shtuar 1.07.2021 09:25