Zhdukja e Koçoles dhe Sulovarit në Sarandë u dirigjua nga burgu, i dënuari përjetë dyshohet se orientoi nga qelia rrëmbyesit

Në rrëmbimin dhe më pas zhdukjen pa gjurmë të dy personave në qytetin e Sarandës, Leonard Thodhori, njohur si “Koçole” dhe miku i tij Fatmir Sulovari, dyshohet se kanë marë pjesë 6 persona.

Gjatë hetimeve të kryera deri në këtë fazë, dyshohet se pjesëmarës në këtë ngjarje të rëndë, është dhe një i dënuar me burgim të përjetshëm me inicialet A.T, nga veriu i Shqipërisë.

I dënuari përjetë, ka dyshime se ka orientuar njerëzit nga qelitë e burgut ku vuan dënimin, kjo për shkak se ai ka miqësi dhe ka vuajtur një pjesë të dënimit në të njëjtin burg, me të dyshuarin tjetër të kësaj ngjarje, shtetasin Ledjan A. nga Saranda.

Policia kriminale e Vlorës dhe ajo e Sarandës, kanë mbledhur informacione operative, të cilat flasin se rrëmbimi dhe më pas vrasja e Leonard Thodhorit dhe Fatmir Sulovarit, dyshohet të jetë dirigjuar nga ambjentet e burgut.

Ngjarja lidhet me përplasjen për trafikun e hashashit dhe kokainës nga Shqipëria në drejtim të Greqisë dhe ishullit të Kusturit, biznes ky që gjatë këtyre 6 muajve solli një seri vrasjesh të ndodhura në Sarandë, Tiranë dhe shtetin grek.

“Koçolja” dhe Sulovari, u zhdukën në rrethana misterioze në 6 Prill 2023, teksa shihen në pamje filmike që hipën në një Benz-Mercedez me targa greke dhe nuk dihet ende dhe sot ku ndodhen trupat e tyre.

Për këtë ngjarje vetëm një person është arrestuar, Sofokli Baxheri, i cili akuzohet për “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”.

Baxheri, ka dijeni mbi identitetin e personave që kanë përdorur vilën e marë me qira dhe benzin e përdorur në rrëmbimin e dy personave, por nuk është treguar bashkëpunues.

I arrestuari Sofokli Baxheri, është njeriu që ka gjetur shtëpinë me qira në fshatin Nivicë të Himarës, aty ku më pas është gjendur dhe makina tip “Benz-Mercedez”, me të cilën është rrëmbyer në Sarandë, Fatmir Sulovari.

Baxheri, ka çuar personat që sipas tij nuk i ka njohur në ambientet e shtëpisë në Nivicë dhe është larguar. Ai ka dhënë një dëshmi kontradiktore përballë grupit të hetimit, duke u shprehur se shtëpinë ja kishte dhënë me qira një personi që jetonte jashtë shtetit dhe nuk e njihte.

Por policia dhe prokuroria e Sarandës, janë të bindur që pikërisht në këtë shtëpi, kanë qëndruar anëtarët e grupit kriminal që kanë kryer vrasjen e dy personave dhe vendosjen e tritolit në banesën e ndërtuesit Afëz Kulla, ngjarje kjo e ndodhur në 5 Dhjetor 2022 në Sarandë.

Makina tip “Benz-Mercedez” me targa të vjedhura në Tiranë, prej muajit dhjetor 2022 është mbajtur në banesën e marë me qëra në Nivicë.

Dy personat e marrë peng, Leonard Thodhori, njohur si “Koçole” dhe miku i tij Fatmir Sulovari, ka shumë dyshime të forta se janë ekzekutuar në fshatin Vrinë të Sarandës, ndërsa trupat e tyre ende nuk janë gjetur./oranews/