Në Kosovë vijon procesi i rinumërimit të votave të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit. Në përditësimin e fundit të kësaj të shtune nga KQZ në faqen e saj, janë rinumëruar mbi 55.65 për qind e fletëvotimeve.
Në 21 komuna të Kosovës procesi i rinumërimit ka përfunduar plotësisht.
Rezultatet e deritanishme tregojnë se Lëvizja Vetëvendosje është e para me 46.81% të votave, e ndjekur nga PDK me 22.05%, LDK 10.48% dhe AAK me 5.92% të votave.
Rinumërimi i votave në Kosovë për 28 komuna, u vendos nga anëtarët e KQZ në 19 janar për shkak të manipulimit të rezultatit sa i takon votës për deputetët.
Rinumërimi iu shtua atij të 10 komunave ku po zhvillohej më herët, duke bërë që të gjitha votat e zgjedhjeve të parakohshme të rinumërohen.
Për rastin KQZ shkarkoi vëzhguesit partiakë në komunat ku u evidentuan shkelje, ndërsa prokuroria në Kosovë u ka kërkuar prokurorive komunale të nisin grumbullimin e provave në rastet e manipulimit.
Sipas KQZ rasti i Prizrenit ishte ai me shkeljet më të mëdha, ku ishin zbritur nga disa kandidatë mbi 20 mijë vota në regjistrimin e rezultatit.
