Zgjedhjet në Himarë, Gjikuria: Ka presion nga pushteti

Kandidati i opozitës për zgjedhjet në Bashkinë e Himarës që pritet të mbahen më 4 gusht, Petro Gjikuria ka deklaruar se ndaj himarjotëve po ushtrohet presion nga pushteti. I ftuar në Syri Tv, Gjikuria tha se Tavo ka zhvendosur shumë të afërm dhe familjarë të tij në Himarë për të siguruar votat në këtë bashki.

“Ka presioni direkt dhe indirekt ndaj votuesit nga pushteti. Pushteti është përqendruar në Himarë këto ditë. Shumë njerëz të Tavos janë bërë me lista këtu, për të votuar dhe i kemi denoncuar. Denoncimet i kemi bërë në SPAK. Pa diskutim, mazhoranca po ushtron presion të madh, po shpërndahen dokumente pronësie për shtëpitë e vjetra. Pronarët autoktonë s’janë pronarë, ata mbahen peng nga zyrtarët. Nuk janë certifikata pronash, janë certifikata për shtëpi të vjetra. Mashtrimet e radhës nga PS, janë letra për procedura. Himarjotët janë të ngopur me gënjeshtra prej 12 vitesh. Deri më tani KQZ ka patur rol neutral, ne atë që kemi në dorë të bëjmë do bëjmë denoncime. Himarjotët janë të qetë, u pëlqen demokracia dhe e respektojnë atë. Secili të shprehë dëshirën e tij dhe kush ka platformën më të mirë për bregdetin të fitojë”, shpjegoi Gjikuria.

Pyetjes nëse i trembet një skenari si i Fredi Belerit për arrestim politik, kandidati opozitar Petro Gjikuria tha se nuk i trembet asgjëje, sa kohë që respekton demokracinë.

“Nuk i trembem asaj që ndodhi me Belerin, jam i hapur dhe e respektoj demokracinë shumë, s’kam frikë për asgjë. Jam këtu për të ndihmuar Himarën me njohuritë që kam. Marrja e bashkisë nga PS, është vazhdim i vjedhjeve me pronën. Socialistët po përfshihen drejtpërdrejt në fushatë me Tavon, ata që kanë abuzuar për 12 vite. Pronat duhet t’i kishin dhënë që prej kohësh. Kjo është sorollatje dhe tallje që himarjotët e kanë marrë vesh tashmë”, tha Gjikuria.


Shtuar 26.07.2024 20:54