Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se janë gjashtë subjekte politike, të cilat kanë paraqitur aplikimet e tyre për pjesëmarrje në zgjedhjet për kryetar të katër komunave në veri të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan – të cilat do të mbahen me 18 dhjetor.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në një konferencë për media, më 25 nëntor, ka njoftuar se ka periudha e aplikimit për certifikim të subjekteve politike dhe kandidatëve që duan të marrin pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë të katër komunave në veri të vendit, e cila kishte nisur më 15 dhjetor, ka përfunduar të premten, më 25 nëntor.
“Iniciativa qytetare Mitrovica ka aplikuar për certifikim me kandidatin e saj në zgjedhjet për kryetar të komunës së Mitrovicës së Veriut. Partia Demokratike e Kosovës ka dorëzuar emrat e katër kandidatëve për cerifikim për zgjedhjet e katër komunave… Partia e Serbëve të Kosovës (Partia Kosovskih Srba) ka aplikuar për certifikim me kandidatin e saj në zgjedhjet për kryetar të Komunës së Leposaviqit. Është një kandidat i pavarur. Lëvizja Vetëvendosje ka dorëzuar emrat e katër kandidatëve për certifikim në zgjedhjet për kryetarët e katër komunave. Iniciativa qytetare “Mbijetesa Serbe” (Srpski Opstanak) ka aplikuar për certifikim me kandidatin e saj në zgjedhjet për kryetar të komunës së Mitrovicës së Veriut”, ka njoftuar Elezi.
Elezi ka shtuar se pas pranimit të aplikacioneve, KQZ-ja do t’u drejtohet institucioneve përkatëse kompetente të vendit për të verifikuar kandidatët nëse ata janë në përputhje me Ligjin për Zgjedhje të Përgjithshme. Sipas afateve të miratuara nga KQZ-ja, procesi i vendimmarrjes për certifikimtë subjekteve politike dhe kandidatëve do të zhvillohet deri më 28 nëntor.
Në aplikimin për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë të katër komunave në veri të Kosovës, nuk ka marrë pjesë Lista Serbe. Deri më 5 nëntor, kryetarët e këtyre katër komunave i takoni këtij subjekti politik, të cilët dhanë dorëheqje. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, më pas shpalli zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të katër komunave të veriut të vendit, për datën 18 dhjetor.
Lista Serbe dha dorëheqje nga të gjitha institucionet në komunat veriore të Kosovës, Dorëheqje dhanë edhe 10 deputetët e saj në Kuvendin e Kosovës, që kishin ulëset e garantuara. Por, ata u zëvendësuan më 17 nëntor nga nëntë të tjerë nga lista zgjedhore e po këtij subjekti politik, si dhe një nga lista zgjedhore e Iniciativës qytetare për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë. Dorëheqje gjithashtu kanë dhënë edhe pjesëtarët e komunitetit serb në Policinë e Kosovës në katër komunat e veriut të vendit dhe në gjyqësor.
Dorëheqjet pasuan pas suspendimit të drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin verior, Nenad Gjuriq, për shkak se ai kishte kundërshtuar të zbatonte masat e Qeverisë së Kosovës për targa serbe. Qeveria e Kosovës nisi zbatimin e vendimit për riregjistrimin e automjeteve me targa ilegale në targa RKS (Republika e Kosovës) më 1 nëntor, i cili u kundërshtua nga serbët e veriut të Kosovës dhe Beogradi zyrtar. Kosova dhe Serbia më 23 nëntor në Bruksel kanë arritur marrëveshje për targat ilegale serbe.