Zgjedhjet e pjesshme lokale/ Ilirjan Celibashi tregon si po ecën procesi i votimit në 5 bashki: Do të aplikohet numërimi me Inteligjencë Artificiale

Ditën e sotme, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka dalë në një komunikim me mediat për të dhënë informacionet e fundit në lidhje me zgjedhjet e pjesshme në 5 bashkitë e vendit.

Sipas tij, procesi ka filluar normalisht, ndërsa në 18 qendra votimi nuk ka informacione për shkak të nuk ka mbulim me internet.

Celibashi deklaroi se në total deri tani, kanë votuar 2.42% të zgjedhësve.

“Nuk janë raportuar problematika në fillimin e procesit të votimit. Nuk kemi asnjë problem të raportuar në lidhje me përdorimin e pajisjeve elektronike të identifikimit të zgjedhësve. Identifikimi po kryhet përmes këtyre pajisjeve. Për shkak të mungesës së mbulimit me internet nuk kemi informacion në kohë reale për 18 qendra votimi. Sa i përket pjesëmarrjes deri në momentin që po flasim 2.42 % pjesëmarrja në total në të gjitha bashkitë”, shprehet Celibashi.

Më tej, ai u shpreh se në procesin e numërimit do të aplikohet Inteligjenca Artificiale.

“Në bashkinë e Tepelenës do të aplikojmë numërimin e fletëve të votimit edhe me AI dhe ky informacion do të jetë në faqen e KQZ dhe do të keni të krahasuara rezultatet e numërimit edhe manualisht edhe me AI. Në mbyllje të procesit do të komunikojmë më shumë në lidhje me këtë aspekt”, tha Celibashi, duke theksuar se procesi i numërimit do të transmetohet live në faqen e KQZ.


Shtuar 9.11.2025 10:40