Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka dhënë detaje në lidhje me procesin që zgjedhur që ka nisur prej 3 orësh në bashki të vendit.
Sipas Celibashit, derimë tani nuk janë evidentuar probleme madhore, me përjashtim të disa qëndrave në Shkodër dhe Dibër, ku për shkak të motit të keq, komisionerët nuk kanë arritur ende.
Deklarata e Celibashit:
Në përgjithësi procesi i hapjes së qendrave të votimit është pa ndonjë problematikë të theksuar, ne jemi në monitorim të vazhdueshëm. Problematikat e evidentuara deri tani janë dy qendra në Shoshë dhe një në Pult, ku nuk ka filluar votimi, për shkak se komisionerët nuk kanë mundur që të shkojnë dot.
Në një qendër votimi në Shalë, identifikimi po bëhet manualisht, dhe në total në Shkodër ka filluar procesi në 247 qendra votimi. Në Dibër ka filluar procesi i votimit në të gjitha qendrat, në 18 qendra votimi nuk ka energji elektrike, në Durrës ka nisur procesi në të gjitha qendrat. Ka një problem që më njoftojnë se është zgjidhur, është bërë zëvendësimi i paisjes së identifikimit.
Në Vorë janë hapur të gjitha qendrat e votimit, nuk ka asnjë lloj problemi, si me identifikimin elektronik, ashtu edhe me votimin elektronik. Në Rrogozhinë dhe Lushnje po votohet në të gjitha qendrat e votimit. Në 5 qendra në Lushnje ka probleme me kamerat, dhe me paisjen PAY, vetëm në një qendër identifikimi po bëhet në mënyrë manuale.
Kemi dy incidente, një në Dibër dhe një në Durrës, në lidhje me mënyrën si anëtarët e qendrave të votimit e administrojnë procesin, por janë pa ndikim për procesin në tërësi. Pak a shumë kjo është situata. Problematika lidhet më shumë me qendrat që kanë vështirësi si pasojë e motit të keq. /albeu.com