Zgjedhjet, Serbia fshin nga lista e votuesve 3 mijë shqiptarë të Luginës së Preshevës

Në një raport të publikuar nga Iniciativa e Rinisë për të Drejtat e Njeriut (YIHR), është bërë e ditur se 3.370 shqiptarë të Luginës së Preshevës janë fshirë nga listat e votimit në Serbi.

Në raportin “Pasivizimi i adresave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës si praktikë diskriminuese”, që u prezantua javë më parë në Beograd, YIHR ka thënë se pasivizimi është përdorur si instrument politik për të ndryshuar strukturën demografike dhe etnike të jugut të Serbisë.

Ndërsa Marko Millosavjelviçit që prezantoi raportin, tha se humbja e adresave për shqiptarët në Luginë të Preshevës nënkupton pamundësi për t’u punësuar, martuar, blerë pronë, regjistrojnë mjet dhe të marrin pjesë në zgjedhje.

“Paradoksi është se viktimat e abuzimit me procesin e pasivizimit janë shpeshherë pronarë ose bashkëpunëtorë të pronave, apartamenteve dhe stepive për të cilat ata paguajnë taksa ndaj shtetit. Edhe pse të drejtat themelore të njeriut qartazi janë të kërcënuara, zyrtarët serbë e mohojnë këtë vite me radhë”, ka thënë Millosavjelviçi.

YIHR ka theksuar se të dhënat i kanë grumbulluar nëpërmjet intervistave me banorët, ndërsa 72 për qind e banorëve kanë thënë se për pasivizimin e adresave të tyre janë njoftuar vetëm verbalisht.

Shefja e Departamentit të Ankesave në ekipin e Komisionerit për Mbrojtjen e Barazisë, Rejla Pantiç, ka shtuar se kjo tregon se duhet t’i kushtohet më tepër vëmendje shtrirjes së diskriminimit, shkruan Telegrafi.

“Ankesat për diskriminim dominohen nga ankesat për diskriminim në bazë të kombësisë, që është 16 për qind. Nga kjo, vetëm një ankesë lidhet me diskriminimin ndaj shqiptarëve”, ka thënë Pantiq.

Iniciativa u ka bërë thirrje autoriteteve të Serbisë t’i hetojnë pasivizimet e adresave të shqiptarëve dhe t’i publikojnë statistikat e qytetarëve sipas përkatësisë etnike, që janë pasivizuar nga 2012-a në Bujanoc, Preshevë e Medvegjë.

Përfaqësues politikë shqiptarë në Luginë të Preshevës kanë shprehur disa herë këtë problematikë. Ndërsa ankesa për fshirjen nga lista e votimit të shqiptarëve në Luginë ka pasur edhe më herët.

Kujtojmë se zgjedhjet paralamentare në Serbi do të mbahen më 17 dhjetor.


Shtuar 2.11.2023 21:08