Zelensky shkarkon udhëheqësit e shërbimit të sigurisë dhe të prokurorisë

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka shkarkuar prokuroren e Përgjithshme dhe kreun e Shërbimit të Sigurisë së shtetit. Këto shkarkime vijnë pas raportimeve se dhjetëra persona nga shërbimet e sigurisë tani po punojnë kundër interesave të Ukrainës në territoret e pushtuara nga Rusia.

Përmes dekreteve të nënshkruara më 17 korrik është shkarkuar prokurorja e Përgjithshme, Iryna Venediktova, dhe Ivan Bakanov, kreu i Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës, që njihet me shkurtesën SBU.

Në deklaratë, Zelensky, pa përmendur me emër Venediktovën dhe Bakanovin, tha se “veprimet specifike dhe çdo mosveprim i zyrtarëve në sektorin e sigurisë dhe në agjencitë e zbatimit të ligjit do të vlerësohen”.

Ai tha se “deri sot, 651 procedime kriminale janë regjistruar sa i përket tradhtisë dhe aktiviteteve kolaboracioniste të punonjësve të Zyrës së Prokurorit, organeve të hetuesisë dhe agjencive të tjera të zbatimit të ligjit”.

“Në veçanti, mbi 60 punonjës së Zyrës së Prokurorit dhe SBU-së gjenden në territoret e pushtuara dhe tani po punojnë kundër shtetit tonë”, tha Zelensky.

“Një grup i tillë krimesh kundër themeleve të sigurisë kombëtare të shtetit dhe lidhjet e regjistruara midis forcave të sigurisë së Ukrainës dhe shërbimeve të posaçme të Rusisë ngrenë pyetje serioze për udhëheqësit përkatës”.

“Secila nga këto pyetjeje do të marrë përgjigjen e duhur. Sot, unë kam vendosur të largojë prokuroren e Përgjithshme dhe kreun e Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës”, tha Zelensky.

Detyrat e Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm i janë dorëzuar Oleksiy Symonenko, thuhet në njërin prej dekreteve. Symonenko deri më tani ka qenë zëvendësprokuror i Përgjithshëm.

Bakanov, një mik dhe ish-partner biznesi i Zelenskyt, ka udhëhequr me SBU-në që prej gushtit të vitit 2019, ndërkaq Venediktova ishte bërë prokurore e Përgjithshme në mars të vitit 2020.

As Zelensky, por as në dekretet e nënshkruara, nuk tregohet se kush do të marrë udhëheqjen e SBU-së.


Shtuar 18.07.2022 07:09