SPAK organizoi një mgea operacion në jug të Shqipërisë ku vuri në pranga 8 persona për vepra të ndryshme penale.
Një ndër të arrestuarit është edhe prokurori Sali Hasa, i qarkut Sarandë.
Arrestimi I tij vjen pas hetimeve të nisura në vitin 2020 për një grup që trafikonte lëndë narkotike.
Gjatë hetimeve, u zbulua edhe një rast korrupsioni në drejtësi dhe të trukimit të ndeshjeve të futbollit.
Prokurori Sali Hasa, kishte nën hetim cështjen e Emiljano Miranin, i cili ishte në akuzë për plagosje me dashje.
Dyshohet se prokurori pushoi akuzën pas ndërhyrjes së Elsona Papës pasi kjo e fundit i dha rryshfet prokurorit për të shpëtuar vëllain nga burgu.
NJOFTIMI I PLOTË I POLICISË:
Hetimi i këtij procedimi penal u bë i mundur falë bashkëpunimit shumë efektiv me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Në funksion të hetimeve të këtij procedimi penal janë përdorur mjete dhe metoda speciale hetimi të kombinuara këto me mjetet apo metodat tradicionale të hetimit.
Nga ky hetim u grumbulluan prova të mjaftueshme të cilat krijuan dyshimin e arsyeshëm se jemi para veprave penale të korrupsionit pasiv të prokurorëve, sipas nenit 319/ç të Kodit Penal. Gjithashtu, nga hetimet u evidentuan të dhëna edhe në lidhje me një vepër penale tjetër siç është ajo e e “Paracaktim i rezultateve në garat sportive”, parashikuar nga neni 197/a/2 i Kodit Penal.
Me kërkesë të Prokurorisë, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr.40 datë 17.06.2021 ka caktuar masat e sigurimit arrest në burg për shtetasit:
Sali Hasa, prokuror në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, parashikuar nga neni 319/ç i Kodit Penal.
Napolon Hodaj, Oficeri i Policisë Gjyqësore në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Sarandë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 245/1 paragrafi i dytë i Kodit Penal.
Qerim Ruçi, arbitër i ndeshjeve të futbollit, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Paracaktimi i rezultateve në garat sportive”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 197/a/2 dhe 25 të Kodit Penal.
Bledar Hajredini, zyrtar i klubit sportiv SHS “Përmeti”, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Paracaktimi i rezultateve në garat sportive”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 197/a/2 dhe 25 të Kodit Penal.
Julian Zera, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 245/1/1 – 25 i Kodit Penal.
Emiljano Mirani, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 245/1 – 25 i Kodit Penal.
Gjithashtu me vendimin nr.40 datë 17.06.2021 Gjykata ka caktuar masën e sigurimit “arrest në shtëpi”, për të hetuarën Elsona Papa, e dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 245/1/1 – 25 i Kodit Penal.
Kurse ndaj shtetasit Hysen Korenica (ish ekspert mjeko – ligjor), Gjykata ka caktuar masën e sigurimit personal me karakter shtrëngues “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Ekspertim i rremë”, parashikuar nga neni 309 i Kodit Penal.
Policia e Shtetit ka ekzekutuar në datën 19.06.2021 masat e sigurimit të caktuara nga Gjykata me vendimin nr.40 datë 17.06.2021. Gjithashtu në zbatim të vendimit nr.202 datë 17.06.2021 Policia Gjyqësore Pranë Policisë së Shtetit ka ushtruar kontrolle në disa banesa dhe zyra të subjekteve të hetuar dhe të tjerë. /albeu.com/