Zbulohet oferta e frikshme e Realit për Neymar, u refuzua nga PSG

Real Madridi kishte ofruar 300 milionë euro për Neymarin në vitin 2019 – ka thënë Wagner Ribeiro, porse Paris Saint-Germaini e kishte refuzuar ofertën duke thënë se as një miliard euro nuk do të mjaftonin.

Kampioni francez theu rekordin historik të transferimeve në vitin 2017 kur e transferoi brazilianin për 222 milionë euro nga Barcelona.

Që atëherë një kthim në La Liga është përmendur vazhdimisht për 29-vjeçarin, me katalunasit dhe rivalin e tyre, Real Madrid, që i kanë kërkuar shërbimet e tij.

“Asokohe, ai ishte pranë shkuarjes te Real Madridi. Madridi ishte i gatshëm të paguante 300 milionë euro për të. Florentino (Perez) më tha, por Nasser (Al-Khelaifi) refuzoi”.

“Ai më tha: ‘As për një miliard nuk do të shkojë!’”, ka rrëfyer ish-agjenti i Neymar për L’Equipe.

Kthimi i tanishëm në La Liga duket shumë i vështirë, duke qenë se edhe Reali edhe Barcelona kanë probleme financiare si pasojë e krizës nga pandemia.


Shtuar 12.04.2021 22:21