Zbulohen lidhjet e Arkend Ballës me Troplinët/ Punësimi i deputetit të PS te kompanitë e hetuara nga Antimafia

Një CV minimaliste apo normale për një të ri, i cili në plan të parë, të jep premisat për të një ardhme të mirë, madje edhe akademike. Por ylli në ngjitje, ndryshe nga sa pamë në CV e tij dhe në jetën parlamentare, surprizoi opinionin publik në zgjedhjet e 11 majit, madje theu edhe çdo rregull të garave demokratike. Një punonjës universiteti, i panjohur për publikun, me një aktivitet online me 3 mijë miq në rrjete sociale,  pa dal thuajse asnjëherë në media, shënoi rekord historik, duke tejkaluar në vota çdo politikan të 35 viteve pluralizëm.

Në këtë moment prozhektorët u kthyen nga ai, e duket se situata nuk është kaq rozë. Të gjitha të dhënat, tregojnë se pas tij qëndronte një prej grupeve më të rrezikshme kriminale të qytetit të Durrësit.

Lideri i opozitës Sali Berisha ishte i parë që denoncoi lidhjet e Arkend Ballës me Visin e Pojës, apo organizatën e Troplinëve. Dhe në këtë rast, të dhënat janë identike si në rastin e Jurgis Çyrbjes, ku përgjimet zbuluan se ishin grupet kriminale që e futën në listë, madje i diktuan Edi Ramës edhe renditjen në listë. Por këtë herë, kjo organizatë kriminale, ishte e bindur për suksesin e saj, ndaj dhe një personazh si Arkend Balla, mund ta nxirrnin më të votuarin në qytetin bregdetar.

Le të ndalemi te faktet, që tregojnë për lidhjet e deputetit më të votuar të Durrësit me organizatën e Troplinëve apo Visin e Pojës.

Ndërsa në CV e tij, Arkend Balla deklaron se ka punuar vetëm në universitetin Aleksandër Moisiu në Durrës, ai ka fshehur një tjetër eksperiencë të tijën, e cila është e detyruar për shkak të të ardhurave të deklarohet në formularin e pasurisë. Në deklaratën e Pasurisë, Arkend Balla deklaron se se nga qershori i vitit 2021 deri ne datën 05.08.2023, kur mori mandatin e deputetit, ka qënë i punësuar ne kompaninë NISATEL.

Nuk dihen arsyet se përse deputeti më i votuar në Shqipëri fsheh punësimin e tij, por nga të dhënat e zbuluara për këtë kompani, mund të mësojmë edhe shkakun e vëertetë. Për lidhjet e errëta mes krimit dhe politikës, që në zgjedhjet e 11 Majit u panë më shumë se kurrë më parë.

Kompania NISATEL një ndër ortakët themelues ka Sadrit Danaj i cili sot e zotëron 100% të aksioneve, si pronar i vetëm. Kjo është një kompani që ofron shërbime interneti, telekomunikacioni, televizioni. Për periudhën 2015-2025 ka përfituar rreth 900.000 euro pagesa nga instutcione shtetërore në qarkun Vlore, Durrës, Fier dhe Tiranë. NISATEL është një kompani që adresën primare ku ushtron aktivitet e ka në Vlorë dhe kjo na bëri të hulumtojmë dhe më shumë për të gjetur lidhjen sesi Arkend Balla u përzgjodh nga kjo kompani për të punuar pranë saj.

Që prej majit të vitit 2018 ortak i vetëm i kësaj kompanie është shtetasi Sadrit Danaj, një personazh i denoncuar dhe më herët nga Partia Demokratike për kryerjen e veprave të rënda penale, në kohën kur Edi Rama e emëroi në krye të Qarkut Vlorë.

Ndërsa Edi Rama, e emëronte në një prej institucioneve më të rëndësishme, lidhjet e tij kriminale do të qëndronin të fshehta deri kur Antimafia Italiane do të zbarkonte në Shqipëri për të goditur organizatën mafioze të Visit të Pojës, ku të përfshirë në trafikun e drogës do të rezultonin edhe Danajt e Vlorës.

Sadrit Danaj është vëllai i Nexhmedin dhe Vexhi Danaj. Po le të ndalemi fillimisht te një prej vëllezërve të punëdhënësit të Arkend Ballës. Nexhmedin Danaj, një prej vëllezërve të kompanive të internetit ku punonte edhe Arkend Balla, është një emër i përfolur edhe më parë në media, për trafik droge e pastrim parash. Kohë më parë, u raportua se ai sëbashku me Algerta Fejzulla kishin ngritur një perandori të pastrimit të parave të drogës, nëpërmjet komopanive në emër të tyre. Dyshohet që Danaj lëvizte paratë e trafikut të kokainës edhe në Dubai përmes kompanisë “General Trading LLC”, me seli në Dubai.

Sipas raportimeve në media, referuar autoriteteve spanjolle, Nexhmedin Danaj dhe Algerta Fejzulla janë çifti vlonjat protagonist i një grupi kriminal në Spanjë, i cili ka qarkulluar të paktën 65 milionë euro, produkt i trafikut të kokainës.

Grupi kriminal me 27 anëtarë u godit nga policia spanjolle dhe Europol në shtator të vitit 2023. Autoritetet spanjolle njoftuan se kishin arrestuar 27 persona, në disa provinca si Madrit, Malaga, Seville, Valencia dhe Barcelonë, pjesë e grupit, i cili kishte pastruar të paktën 65 milionë euro me metodën “Haëala”.

Ndërkohë vëllai tjetër Nexhmedin Danaj, pas një hetimi 5 vjecar të Antimafias Italiane është akuzuar për Trafik Ndërkombëtar Droge në bashkëpunim me shtetasin Elvis Doçi (Visi i Pojës).  Këtij shtetasi i janë sekuestruar dhe disa kompani përfshirë dhe TV Kabllor Vlora Cable. Kjo kompani ditën e bërjes publike të masave të arrestit ka kaluar nëpronësi të vëllait tjetër Vexhi Danaj, kjo për të shmangur sekuestrimin.

Por pikërisht kjo manovër ngre edhe më shumë pikëpyetje mbi favorizimin nga ana e SPAK, në favor të Nexhedin Danajt dhe bizneseve të tij.  Vetëm një ditë pas Prokuroria e Posaçme njoftoi se kishte sekuestruar disa kompani të anëtarëve të organizatës kriminale të Visit të Pojës, Nexhmedin Danaj, i shiti vëllait të tij, Vexhiut, 30 përqind të aksioneve. Kontrata e nënshkruar jashtë zyrës noteriale thotë që shitja e aksioneve është kryer në datën 1 Maj 2025 dhe vlera e saj është 30 mijë lekë të reja.

Ndërkohë, dokumenti është regjistruar në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit në 22 Maj dhe prej këtij momenti ai merr vlerë ligjore. Ky transaksion, si rregull, nuk duhej të regjistrohej, pasi, siç deklaroi SPAK-u një ditë më parë, kompania ishte vendosur nën sekuestro, gjë e cila presupozon se ndalohet ndryshimi i pronarëve. Por, të dhënat zyrtare tregojnë se Prokuroria e Posaçme nuk dorëzoi asnjë akt pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit për të vërtetuar se gjykata ka urdhëruar sekuestrimin e aksioneve të Nexhmedin Danajt, në kuadër të operacionit “Ura”.

Gjithashtu, nga një vëzhgim i “Syri Televizion” disa ditë pas urdhërit të sekuestrimeve, në regjistrin e kompanive private, rezultoi se, të paktën për 3 ditë pas bërjes së lajmit publik, asnjë prej kompanive të personave të përfshirë në hetimin e Anti-mafias italiane nuk u vendos nën sekuestro, duke ngritur dyshime për vonesa të pajustifikuara ose, në rastin më të keq, për mos-bllokimin e tyre.

Ndërsa një prej Vëllezërve Danaj u arrestua nga Anti-Mafia italiane për bashkëpunim me Troplinët në trafikun e drogës dhe vëllai tjetër 2 vite më parë ishte arrestuar nga Autoritetet Spanjolle për përfshirje në organizatë trafiku droge dhe pastrimin e 65 Milionë eurove, për Edi Ramën, duket se këto ishin të dhëna të mjaftueshme për ti gostitur me leje ndërtimi, e për më tepër për SPAK këto kompani e investime janë të padukshme.

Në skenë del vëllai tjetër, që po ashtu duhet të ishte vënë nën hetim nga SPAK për transasksionin e shitjes së kompanisë së internetit dhe Televizionit, me akuzën e manovrave për fshehjen e pasurisë.

Nga një hulumtim i thjesht në qendrën kombëtare të Biznesit, hulumtim ky i shmangur nga SPAK, rezulton se Vexhi Danaj është pronar i disa bizneseve, ndër to edhe dy kompani që nuk janë bërë publike deri më sot. 2B&U COMPANY e themeluar në vitin 2017 ka si përonar të saj Vexhi Danaj, dhe si adresë apo të dhëna kontaktesh ka pikërisht ato të kompanisë Vlora Cable, kompania e sekuestruar nga SPAK, duke faktuar edhe njëherë lidhjet mes kompanive të vëllezërve Danaj.

Kësaj kompanie në dhjetor të vitit 2024, Edi Rama në cilësin e drejtuesit të KKT-së I ka miratuar një leje ndërtimi për hotel në Radhimë: “Leje Zhvillimi për objektin: “Strukturë polifuksionale me dy korpuse me funksion banim, hotel dhe shërbime me 5, 6, 7, 8, 9, 10, 11 dhe 12 kate mbi tokë dhe 2 kate nëntokë”, me vendndodhje në Radhimë, Bashkia Vlorë, me subjekt zhvillues shoqërinë “2b&u Company” sh.p.k.

Pra më konkretisht, personazhet që Antimafia italiane dhe Autoritetet Spanjolle i akuzon për trafik droge dhe pastrim parash në Shqipëri, Edi Rama u jep leje ndërtimi hotelesh në bregdet, e për më tepër, SPAK nuk i sheh. Por jo vetëm këtë kompani, në emër të Vexhi Danajt është regjistruar edhe kompania “Gerard Krom” e cila është pajisur me leje shfrytëzimi nga Damian Gjiknuri për nxjerrje minerali krom në Bashkinë Klos. Lidhja kriminale e vëllezërve Danaj me bandën e Troplinëve është e faktuar tashmë nga Antimafia Italiane, e lidhjen e durrsakut Arkend Balla me vlonjatët Danaj, e konfirmon edhe vetë deputeti që është paguar prej tyre. /PLUG, SYRI.net