Në kuadër të operacionit “Sundimi i ligjit”, uniformat blu kanë vënë në pranga një 43-vjeçar, i cili i përkistë një krupi kriminal, i dyshuar për kryerjen e veprave të rënda penale.
Pas një hetimi disajavor, është finalizuar me metoda proaktive, operacioni policor i koduar “Katërkëndshi”.
Sakaq, janë sekuestruar armë zjarri pistoletë, armë gjuetie, armë sportive, municion luftarak, predhë, thikë, kokainë dhe 2 traga automjeti false.
Arrestohet në flagrancë 43-vjeçari që i kishte fshehur ato, në ambientet në pronësi të tij.
Gjatë operacionit u zbulua se ky shtetas kishte ndërtuar një objekt, pa leje.
Sektori për Hetimin e Narkotikëve i DVP Elbasan, në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional mbarëkombëtar “Sundimi i ligjit”, për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje dhe të çdo forme tjetër të shfaqes së tyre, ka organizuar dhe finalizuar në bashkëpunim me Forcën Operacionale dhe Forcën e Posaçme “Shqiponja”, operacionin policor të koduar “Katërkëndshi”. Bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, për një 43-vjeçar që posedonte pa leje, në ambientet e biznesit në pronësi të tij, armë zjarri, armë gjahu, municion luftarak, si edhe lëndë narkotike, shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë në disa ambiente (pikë inertesh, varrezë makinash, stallë bagëtish) ku si rezultat kanë gjetur të fshehura: 1 armë zjarri pistoletë, 1 armë gjuetie, 1 armë sportive, municion luftarak, 1 predhë, 1 thikë, një sasi lënde narkotike kokainë dhe 2 traga automjeti false, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Më tej, shërbimet e Policisë zbuluan se poseduesi i armëve dhe i sendeve të kundërligjshme, kishte ndërtuar një objekt, pa leje.
Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë shtetasit I. M., 43 vjeç, banues në Peqin, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”, “Punësimi i paligjshëm”, “Ndërtimi i paligjshëm” dhe “Falsifikimi i vulave, i stampave ose formulareve”.
Gjithashtu, për këtë rast, u shoqëruan në ambientet e Policisë, disa shtetas të tjerë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.