“Zbërthehet” Dumani, nxjerr tjetër emër: Tek magazina e tij u fsheh makina e vrasësit e Emiljano Ramazanit

I penduari i drejtësisë Nuredin Dumani vazhdon të nxjerrë emra të rinj gjatë dëshmive të tij për grupin hetimor të SPAK.

Së fundmi ai mësohet se ka përmendur biznesmenin e ndjerë Arben Laze, ish-president i ekipit të Elbasanit. Sipas Dumanit, Laze i ka vendosur në dispozicion magazinën dhe një automjet që është përdorur në atentatin ndaj Emiljano Ramazanit.

Arrestimi në Durrës i Agim Gjinit, një prej bashkëpuntorëve të ngushtë në disa grabitje me Nuredin Dumanin, ka zbuluar detaje të tjera në dosjen voluminoze që po hetohet nga prokuroria e posaçme SPAK.

Mësohet se bashkëpuntori i drejtësisë Nuredin Dumani, ka folur për emra të tjerë në qytetin e Elbasanit.

Bëhet fjalë për Arben Lazen, Presidentin e ndjerë të skuadrës së Futbollit të qytetit, i cili sipas Dumanit, e ka strehuar dhe i ka vënë në dispozucion 1 automjet për të cilin i arrestuari thotë se u përdor për vëzhgimin dhe vrasjen e Emiljano Ramazanit.

Arben Laze në muajin janar 2022 ndërroi jetë si një pasojë e një ataku kardiak, ndërsa vrasja e Ramazanit, ka ndodhur në 20 korrik 2020 në Elbasan.

Porosia për këtë vrasje dyshohet se është marrë prej Dumanit nga Erjon Alibej, kundrejt shumës 100 mijë euro.

Dumani i ka treguar prokurorëve të SPAK, se Arben Laze, ishte daja i nuses së Erjon Alibej dhe kishte vënë në dispozicion ambjentet e magazinës së tij, për të fshehur autorët dhe automjetin tip “Passat” që u përdor në vrasje.

Sipas Dumanit makina ka qënë e vjedhur dhe pas 3 ditësh, ai është kontaktuar nga Erjon Alibej, i cili i ka thënë që ta fshihte tek magazinat e Arben Lazes, në zonën e Fushë-Mbretit në Metalurgjik.

Në këtë vrasje, Dumani e etiketon Elio Bitrin si personin kryesor që kishte marë përsipër të jepte ndihmë duke siguruar të dhëna për Emiljanon si, vendin se ku e kishte shtepinë, servisin si dhe vendin ku ai bënte palestër.

Bashkëpuntori i drejtësisë ka treguar se kur ka ka shkuar me “Passat”, në zonën e Metalurgjikut, tek shinat e trenit e priste Arben Laze, të cilin e ka ndjekur nga pas me makinë deri në ambjentet e brendshme të magazinës.

Aty së bashku kanë mbuluar me mushama “Passatin” dhe janë larguar deri tek shinat e trenit, ku aty më pas e ka pritur Elio Bitri.

Sipas burimeve mësohet se Dumani i ka treguar prokurorëve se teksa bënte përgatitjet për vrasjen e Ramazanit, ai fshihej në Fushë-Krujë, në një shtepi tek pazari dhe se 3 ditë ka qëndruar i fshehur në magazinën e Arben Lazes.

Burimet pranë prokurorisë SPAK bënë me dije se fillimisht vrasjen e Emiljano Ramazanit, Dumani ja ka besuar dy djemve nga Fushë-Kruja Besian Xhixha dhe Enver Divës.

Gjatë qëndrimit në magazinë ata kanë kërkuar që pjesëmarrës në vrasje të ishte dhe Nuredin Dumani. Por ky i fundit ka refuzuar madje ka gjetur njerëz të tjerë,duke ja besuar vrasjen Henrik Hoxhës dhe “Nipçes” nga Fieri, Skerdi Tasi.

Komunikimet mes tyre kanë vijuar me telefona “Sky” deri në momentin e ekzekutimit. Emiljano Ramazani, është vrarë poshtë shtëpisë së tij, sapo kishte dalë nga palestra.

Ditën e krimit, Henrik Hoxha dhe Skerdi Tasi, lëviznin me makinën tip “Passat”, që Nuredin Dumani ja kishte lënë tek magazina e Arben Lazes në Fushë-Mbret.

Henriku ka qënë shofer i makinës, ndërsa Tasi ka zbritur nga mjeti dhe ka qëlluar 6 herë në drejtim të Ramazanit, duke e lënë të vdekur në vend. Makina tip “Passat”, më pas është gjendur nga policia e Elbasanit e djegur në fshatin Vidhas./Ora News/