Kanë dalë detaje të reja nga dosja hetimore që lidhet me mashtrimin e qindra qytetarëve të vendeve të ndryshme të Bashkimit Europian, përmes Call Centerave në Shqipëri.
Sipas burimeve për albeu.com në dosje thuhet se janë duke u kryer hetime mbi veprën e mashtrimit kompjuterik për arsye përfitimi, duke u shkaktuar qytetarëve një dëm që përllogaritet në mijëra euro.
Gjithashtu shtohet se sapo viktima regjistrohej ne platformën e mashtrimit me emër, mbiemër, email dhe numër telefoni, autorët e kontaktonin menjëherë në telefon dhe krijonin një bazë besimi me klientin e pretenduar.
Ishte fillimisht tundimi për investime në sasi të vogla që i çonte më pas në derdhje të shumave më të mëdha të parave.
Ky premtim për përfitime të mëdha, i bazuar në një platformë fiktive, e cila ka për qëllim mashtrimin e viktimave nëpërmjet sistemeve kompjuterike, për përfitime të padrejta ekonomike, është i rremë.
Kujtojmë se në kuadër të hetimit të nisur në shtator të vitit 2021, Prokuroria e Tiranës urdhëroi arrestimin e 35 personave, mes tyre dhe administratorin e subjektit “RG Capital” shtetasin izraelit, Refael Genish. Ndërkohë, që 20 persona të tjerë po hetohen në gjendje të lirë.
Gjithashtu nën hetim nga Prokuroria janë edhe Call Centera të tjerë, të cilët dyshohet se po kryejnë të njëjtën vepër penale, atë të mashtrimit me qëllim përfitimin./albeu.com/