Policia ka zbardhur ngjarjen që ndodhi një natë më parë në Sarandë, ku një person shkoi në spital me dëmtime të rënda.
Në një njoftim bëhet me dije se shtetasi Gentian Omeri është marrë peng nga disa persona të tjerë.
Pjeter Ndoj, Astrit Ndoj dhe u shpall në kërkim dhe Alfred Ndoji (3 vëllezër) kanë plagosur duke e goditur me sende të forta, e më pas e kanë futur në automjetin e tyre, duke e mbajtur aty me forcë, dhe më pas e kanë lënë pa ndjenja, në rrugë.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet operacioni policor i koduar “Pengmarrja”, për zbardhjen e një ngjarjeje kriminale në fushën e krimeve kundër personit.
Operacioni u zhvillua nga Forca Operacionale e DVP Vlorë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Sarandë dhe FNSH, nën drejtimin e Prokurorisë së Sarandës.
Rrëmbyen një shtetas, e mbajtën me forcë në automjetin e tyre, e plagosën rëndë atë, me sende të forta dhe e lanë pa ndjenja, në rrugë, Policia identifikon dhe vë në pranga, brenda pak orësh, 4 autorët e dyshuar, njëri prej tyre me precedent kriminal. Shpallet në kërkim bashkëpunëtori i tyre.
Më datë 19.01.2023, rreth orës 01:00, salla operative Sarandë ka marrë njoftim se disa shtetas po ndiqnin me automjet shtetasin G. O. dhe po i rrezikohej jeta prej tyre.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë reaguar me shpejtësi, duke shkuar në vendngjarje dhe kanë konstatuar në rrugën e fshatit Xarrë, shtetasin G. O., të plagosur rëndë fizikisht, i cili është dërguar menjëherë në spitalin e Sarandës, ku ndodhet aktualisht, nën kujdesin e mjekëve.
Falë veprimeve të shpejta hetimore dhe profesionale nga shërbimet e Policisë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Pengmarrja”, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative, brenda pak orësh është bërë e mundur zbardhja e rrethanave të ngjarjes dhe identifikimi i autorëve të dyshuar të saj.
Në vijim të veprimeve dhe ndjekjes të pandërprerë nga shërbimet e Policisë, rreth orës 04:00, u bë lokalizimi në fshatin Shëndelli dhe prangosja e 4 autorëve të dyshuar, konkretisht e shtetasve:
P. N., 30 vjeç (me precedent të mëparshëm kriminal në fushën e narkotikëve), A. N., 21 vjeç, A. N., 44 vjeç dhe A. N., 21 vjeç (të afërm të njëri-tjetrit), të gjithë banues në fshatin Shëndelli, Sarandë.
Gjithashtu u bë shpallja në kërkim shtetasit A. N., 39 vjeç, banues në Shëndelli, Sarandë. Vijon puna për kapjen e tij.
Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, për motive të dobëta, kanë përplasur me dashje automjetin që drejtonte shtetasi G. O., të cilin e kanë plagosur duke e goditur me sende të forta, e më pas e kanë futur në automjetin e tyre, duke e mbajtur aty me forcë, dhe më pas e kanë lënë pa ndjenja, në rrugë.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 3 automjete që përdoreshin nga të arrestuarit dhe 7 aparate celulare.
Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë, për veprat penale “Plagosja e rendë me dashje”, “Heqja e paligjshme e lirisë” dhe “Shkatërrimi i pronës”, të kryera në bashkëpunim. /albeu.com