Zbardhet dinamika e ngjarjes në Fier, si e inskenoi 56-vjeçari vrasjen e gruas

Detaje të reja janë mësuar në lidhje me ngjarjen e rëndë në fshatin “Sheq i madh” në Fier, ku 56-vjeçari masakroi me thikë gruan e tij, Valdete Manajn.

Dinamika e ngjarjes:

Burime për albeu.com bëjnë me dije se 56-vjeçari Petrit Manaj ka vrarë gruan me thikë dhe më pas dalë nga shtëpia dhe ka shkuar në një lokal për të ngrënë bukë. Këtë e ka bërë që ta shikonin të tjerët që ka qenë jashtë në momentin që ka ndodhur ngjarja. Kur është kthyer në shtëpi, ai gjasme e ka gjetur të vrarë. Në këtë moment, Manaj ka njoftuar vëllain e tij që ka polic. Ky i fundit ka njoftuar sallën operative që kunata ka vrarë veten me thikë, ashtu siç i kishte thënë i vëllai.

Viktima, Valdete Manaj
Viktima, Valdete Manaj

Shkaku u ngjarjes:

Dyshohet se shkak i kësaj ngjarjeje ka qenë xhelozia. Burime bëjnë me dije se ata janë zënë me njëri-tjetrin fillimisht, pasi edhe burrit i janë gjetur shenja gërvishtjeje në trup.

Si e zbuluan hetimet që ishte vrasje dhe jo vetëvrasje:

Pas njoftimit të marë në sallën operative se në lagjen “Sheq i Madh”, Fier, në banesën e saj një shtetase është vetëvrarë, menjëherë është ngritur grupi hetimor dhe në bashkëpunim me Prokurorinë Fier kanë vijuar punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Nga provat e grumbulluara, deklarimet e marra, këqyrjes së trupit të viktimës nga eksperti mjeko-ligjor dhe veprimet e mëtejshme hetimore të kryera nga grupi hetimor në bashkëpunim me Prokurorisë Fier, rezulton se shtetasi Petrit Manaj, bashkëshorti i viktimës, për motive të dobëta ka goditur me thikë për vdekje gruan e tij, Valdete Manajn.

Në bazë të hetimeve të thelluara, i vendosur përballë provave të adminstruara, Manaj ka pranuar autorësinë dhe motivin e ngjarjes.

Tashmë, ai është arrestuar për veprën penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”. Materialet do i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme procedurale./albeu.com

 


Shtuar 8.02.2022 16:48