Zbardhet dëshmia, si u paralajmërua krimi në Divjakë: Para vrasjes kërkonte fishekët e çiftes!

Pas ngjarjes së rëndë pasditen e së shtunës në fshatin Babunjë të Bashkisë së Divjakës, ku 58-vjeçari Hekuran Rrasa vrau me armë zjarri të llojit çifte bashkëshorten e tij Fëllënza Rrasa dhe më pas edhe veten, ka reaguar vëllai i së ndjerës.

Klement Muçaj ka hedhur poshtë dëshmitë e familjarëve të Hekuranit, duke thënë se ky ishte një krim i paralajmëruar. Ai deklaron se e motra kishte vite që vuante nga dhuna sistematike e burrit të saj.

DËSHMIA

Klement Muçaj deklaron gjithashtu se si pasojë e dhunës së vazhdueshme, Fëllënza Rrasa ka tentuar të vetëvritet rreth 10 vite më parë, duke konsumuar fostoksinë, por siç thotë ai arriti të shpëtonte për shkak të ndihmës shëndetësore të dhënë nga mjekët. Muçaj deklaron se çifti kishin vështirësi ekonomike, por nuk ishte ky shkaku i dhunës së vazhdueshme që 58-vjeçari ushtronte ndaj bashkëshortes 13 vite më të re.

“Tani flasin kot për çështje ekonomike. Ata nuk kanë vuajtur ekonomikisht se unë i mbaja me para. Morën kredi, ua shleva, u duheshin lekë ua dërgoja prandaj nuk është e vërtetë që vuanin. Ai ishte i dhunshëm dhe për arsye të ndryshme të tijat, e dhunonte motrën time sistematikisht. Ne kemi qenë të shqetësuar disa herë për jetën e saj. Edhe një javë para vrasjes, ai kërkonte fishekët e çiftes për ta vrarë. Mua më kërkoi ai në telefon që të ndërhyja te motra t’i jepte fishekët, ajo më tha s’ia jap se me vret. Dhe unë pas kësaj shkova në Polici. Ata nuk pranuan denoncimin, duke dalë garant se e njihnin Hekuranin për burrë të mirë.

Po sa i mirë ishte atë e dinte familja e tij, e dinte motra ime. U detyrova pas kësaj të marr motrën në shtëpinë tonë. Ajo iku se e bindi djali i saj. Iku se e donte të birin, nuk më dëgjoi. Më pas ndodhi vrasja. Ne kishim frikë se ajo edhe para 10 vjetësh u helmua me fostoksinë dhe në 10 minuta i shpëtuan jeta nga mjekët. Tani ndodhi kjo. Nuk kemi fjalë. Por të mos mbulohet ngjarja dhe e vërteta, këtë duam për respekt të motrës tonë që vuajti tërë jetën derisa ia mori edhe jetën”, ka treguar ndër të tjera Klement Muça. Të afërm të viktimës deklaruan se Hekuran Rrasa kishte qenë konsumues i vazhdueshëm i alkoolit vitet e shkuara, por vitet e fundit e kishte lënë atë.

NGJARJA

Krimi makabër ndodhi në fshatin Babunjë të Lushnjës, kur Hekuran Rrasa, 58 vjeç, ka vrarë me armë gjahu në banesë bashkëshorten Fëllënxa Rrasa, 45 vjeçe. Kanë qenë fqinjë e të afërm të familjes ata që kanë marrë vesh lajmin të parët. Pasi kanë dëgjuar krismat e armës, ata janë drejtuar te shtëpia e çiftit Rrasa, por kur kanë hyrë brenda, kanë parë që gjithçka kishte marrë fund me një tragjedi fatale. Kanë qenë fqinjët ata që kanë lajmëruan Policinë për krimin e rëndë brenda familjes. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar arma e gjahut dhe prova të tjera.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lushnjë, tha se po vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes. “Në fshatin Babunjë, Divjakë, dyshohet se shtetasi H. Rr., 58 vjeç, ka vrarë me armë gjahu në banesë bashkëshorten e tij, shtetasen F. Rr., 45 vjeçe dhe më pas ka vrarë veten. Në vendngjarje është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale arma e gjahut. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lushnjë, vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, sqaroi Policia. /panorama

 


Shtuar 22.09.2021 10:24