Grupi hetimor i Policisë së Shkodrës dhe policisë kriminale ka dyshime se autorët e masakrës me 3 të vrarë dhe 1 të plagosur janë vrasës me pagesë nga Mali i Zi, në moshë të re.
Gazetari i Klan News, Besar Bajraktari, raporton se makina e viktimave rezulton të ketë hyrë në vendin tonë po ashtu nga Mali i Zi gjatë ditëve të fundit.
Automjeti ka hyrë edhe gjatë ditës së djeshme nga pika kufitare e Hanit të Hotit dhe nuk përjashtohet mundësia që dikush të ketë lajmëruar autorët.
Gjatë ditës së mërkurë, makina është parë duke kaluar disa herë në zonën e Dobraçit në unazën e Shkodrës.
Hetuesit kanë sekuestruar më shumë se 35 gëzhoja në vendngjarje. Makina e djegur e autorëve, deri tani nuk ka prodhuar asnjë të dhënë për grupin hetimor, pasi numri i shasisë është dëmtuar nga zjarri, megjithatë është dërguar për ekspertim me shpresën se mund të zbulohet.
Hetuesit janë përqëndruar te kamerat e sigurisë, por po haset vështirësi. Kjo për shkak se në zona të caktuara nuk ka kamera, e ndërsa aty ku ka nuk janë të pajisura me servera për ruajtje pamjesh.
Disa prej tyre janë të koduara dhe janë marrë për t’u ekspertuar në laborator.
Nga masakra në Shkodër pasditen e 30 Tetorit, mbetën të vrarë Hamza Lici, Arlind Bushati dhe Flutura Basha, e cila ishte kalimtare e rastit dhe nuk ka lidhje me ngjarjen.
Gjithashtu, i plagosur rëndë ka mbetur bashkëshorti i Fluturës, Bashkim Basha, pa lidhje me ngjarjen.
Çifti Flutura dhe Bashkim Basha, po udhëtonin me motor në zonë kur automjeti Mercedes i viktimave që ishin shënjestër e atentatit, humbi kontrollin dhe përplasi motomjetin.
Atentatorët që udhëtonin me një makinë Range Rover, dyshohet të ketë qenë 3 persona; 2 qitës dhe 1 shofer. Ndërsa një person i katërt mendohet se i ka ndihmuar të largohen pas djegies së automjetit.