“Ylli” i Arsenalit gati t’i bashkohet Anglisë, mërzitet Arteta

Bukayo Saka pritet t’i bashkohet grumbullimit të Anglisë në kuadër të dy ndeshjeve të muajit tetor.

Sulmuesi anësor ka vuajtur në ditët e fundit për shkak të një dëmtimi, saqë humbi dhe sfidën direkte ndaj rivalëve të titullit, Man.City, në takimin e luajtur në Emirates.

Në ndeshjen e fundjavës, Saka nuk ishte i grumbulluar me ekipin e Mikel Artetës, por raportime të besueshme në Ishull bëjnë me dije se 22-vjeçari pritet të bëhet pjesë e “Tre Luanëve” për përgatitjet e ndeshjeve ndaj Italisë dhe Australisë.

Anglia do të presë fillimisht Australinë më 13 tetor, në Wembley, në një miqësore, ndërkohë që 4 ditë më vonë, do të luajë ndaj Italisë në të njëjtin impiant.

Pas pesë ndeshjeve të luajtura në Grupin C në kualifikueset e Euro 2024, “Tre Luanët” kryesojnë bindshëm me 13 pikë, 6 pikë më shumë se ndjekësit më të afërt të Italisë dhe me një fitore tjetër në shtëpi ndaj “azzurrëve” do të vulosnin çështjen e kualifikimit.

Lajmi për rikthimin e Saka mund të mos tingëllojë mirë për trajnerin Arteta të Arsenalit, që do të dëshironte që lojtari i tij kryesor të merrte pushimin e duhur në këtë pauzë të kampionateve para se të rikthehej sërish në Premier League. /Supersport


Shtuar 10.10.2023 09:26