Vuçiç: Kërkohet të pajtohemi me hyrjen e Kosovës në OKB, s’mund t’ia ndalim anëtarësimin në KiE dhe NATO

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç është shprehur i gatshëm që të bisedojë me ndërmjetësuesit evropianë por edhe me drejtuesit e Kosovës për ta gjetur një kompromis mbi mosmarrëveshjet me Kosovën, duke u ankuar se po i kërkohet që Serbia të pajtohet me anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe Këshillin e Evropës.

Ai ka dhënë sinjale se Serbia mund ta pranojë mos-pengimin, por ka thënë se s’do t’i duartrokasë anëtarësimet eventuale të Kosovës në organizata ndërkombëtare.

“Nuk mund ta pengojmë anëtarësimin e tyre në organizata ndërkombëtare si Këshillin e Evropës, as nuk mund ta pengojmë anëtarësimin e tyre në NATO, megjithatë kam thënë se nëse presin duartrokitjen tonë, diçka të tillë nuk do të marrin, por nuk mundemi ta parandalojmë atë”, ka deklaruar Vuçiç.

Vuçiq ka folur për nevojën e rritjes së besimit mes Serbisë dhe Kosovës dhe të ndërtohet një paqe afatgjatë. Megjithatë, ka theksuar ai, së pari duhet të formohet Asociacioni i Komunave Serbe.
Ajo që mund të bëjmë, thotë ai, është të diskutojmë se si të rrisim nivelin e besimit mes nesh dhe shqiptarëve dhe si të ndërtojmë një pozicion për një paqe afatgjatë në të ardhmen.

“ASK nuk është dhe nuk mund të jetë një organizatë joqeveritare, ajo ka 22 parimet e nënshkruara në Bruksel në vitin 2015. Ka synime, strukturë organizative, e theme këtë sepse të tjerët do të donin të vendosnin se si do të dukej ASK”, ka thënë ai.

“Dua të them se tani po bëhet një luftë e madhe për ASK-në, është e qartë se ata do të përpiqen të thonë se 21 nga këto 22 parime nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe prandaj nuk do ta bëjnë këtë, por e pashë vendosmërinë e amerikanëve për këtë çështje, besoj se në muajt në vijim më në fund do të mund të përfundojë”, ka shtuar Vuçiç.

Presidenti serb ka thënë se më nuk flitet për njohje reciproke.

“Nuk flitet më për njohje reciproke, që do të thotë se ne arritëm diçka, nuk thuhet se duhet të votojmë pro, mund të votojmë edhe kundër, por duhet të pranojmë anëtarësimin e tyre. Nuk përmendet miratimi ynë për hyrjen e Kosovës në OKB, por ne do ta pranonim de fakto anëtarësimin e tyre, pra do t’i ndihmonim të tjerët që ta votojnë atë”, ka thënë Vuçiç. /GazetaExpress


Shtuar 23.01.2023 22:20