Këtë të shtunë 7 shtator 2024, Gjykata e Durrësit, ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për Esmerald Ballën, i cili vrau babanë e tij duke e hedhur trupin e tij në pus.
Po të njëjtën masë sigurie, ka caktuar edhe për personin që ndihmoi në fshehjen e trupit, shoku i autorit, Edison Brahaj.
Esmerald Balla, 30-vjeç, kreu një krim makabër që tronditi sërish opinionin publik. Me gjakftohtësi thuri planin e vrasjes së babait dhe skenarin që do të ndiqte për t’u mos u zbuluar.
Enver Balla, u vra me armë zjarri nga i biri dhe 20 ditë pas ekzekutimit, autori denoncoi në polici zhdukjen e të atit, duke theksuar se kishte humbur kontaktet me të.
Për të krijuar një alibi që do të mbështeste versionin e tij, ai dëshmoi para uniformave blu se babai kishte krijuar një histori dashurie, ndaj ky mund të ishte shkaku i largimit pa njoftuar.
Policia mbërriti në banesë dhe indicia e parë për zbardhjen e ngjarjes ishte kasaforta, brenda së cilës ndodheshin 75 milionë lekë të vjetra.
Autori dyshohet se e kishte hapur me gur fresibël kasafortën dhe për një kohë të gjatë merrte para.
Mjaftoi kjo indicie dhe policia konfiskoi telefonin e denoncuesit, i cili do të ishte elementi kyç për zbardhjen e krimit makabër.