Vrasje apo vetëvrasje? Ekspertët e Eugert Lazajt “fshehën” të vërtetën?

Eugert Lazaj u gjet i vdekur në muajin korrik të vitit të kaluar në banesën e tij në Lundër në kompleksin luksoz në Tiranë.

Prokuroria e Tiranës ka nisur hetim penal për ekspertët që kanë bërë akt-eskpertimin e armës së krimit që u gjet në dorën e biznesmenit 37-vjeçar, Eugert Lazaj.

Ky i fundit u gjet pa jetë mëngjesin e 30 Korrikut në një vilë luksoze në periferi të kryeqytetit. Ngjarja fillimisht u dyshua si vetëvrasje dhe për pasojë hetimet u pushuan, por së fundmi në duart e grupit të hetimit kanë mbërritur dy akt-ekspertime të pistoletës që u gjet në vendin e ngjarjes.

Disa pretendojnë se gëzhoja që u gjet në tokë, pranë të ndjerit, nuk ka dalë nga arma që ai mban në dorë. Ndërsa të tjerë pretendojnë se gjithçka është në përputhje të plotë dhe se 37-vjeçari ka vrarë veten.

Sipas “Klan”, Prokuroria ka ngritur dyshime se ekspertët kanë firmosur akt-ekspertime të rreme, përfundim që sjell në dy versione: paaftësinë apo fshehje të mundshme të një krimi. Vetëm pas marrjes në pyetje të tyre do të provohet nëse ata kanë dalë në ato përfundime me vullnet të lirë. Grupi hetimor mund të marrë edhe ekspert të pavarur për të arritur në një përfundim definitiv lidhur me çështjen.


Shtuar 24.05.2021 20:46