Vrasja në Fier e grabitja me dhunë në Nikël, Meta thirrje institucioneve: Vini drejtësi dhe parandaloni ngjarje të tilla

Presidenti Ilir Meta ka reaguar në lidhje me ngjarjet e ndodhura së fundmi në vend, ku dy ditë më parë në Fier u ekzekutua biznemeni Demir Backa, ndërsa dje u grabit dhe torturia biznesmeni Cangu në Nikël të Krujës.

Meta u ka bërë thirrje institucioneve ligjzbaruese të vënë drejtësi dhe të parandalojnë ngjarje të tilla.

Reagimi i Metës:

Dënoj me forcë aktet tepër të rënda kriminale të ditëve të fundit, vrasjen e biznesmenit Backa në qendër të Fierit, si dhe grabitjen dhe torturimin e biznesmenit Çangu në Nikël të Krujës.

Këto ngjarje, që kanë tronditur thellë opinionin publik, përbëjnë një kërcënim serioz për rendin, sigurinë e jetës dhe pronës së qytetarëve, por edhe për zhvillimet ekonomike dhe sociale të vendit.

I bëj thirrje Policisë së Shtetit, Prokurorisë, Shërbimit Informativ të Shtetit, si dhe të gjithë institucioneve të tjera ligjzbatuese në vend, të forcojnë bashkëpunimin për arrestimin e menjëhershëm të autorëve me rrezikshmëri të lartë dhe vënien e tyre para drejtësisë, por edhe për të marrë të gjitha masat efektive për të parandaluar ngjarje të tilla të rënda dhe tronditëse kriminale./albeu.com


Shtuar 25.10.2021 10:11