Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Dragoç të Shkodrës, ku një 33-vjeçar është vrarë me armë zjarri brenda në makinë.
Burimet bëjnë me dije se viktima është identifikuar si Ramazan Mataj, i cili dyshohet se është qëlluar me armë zjarri nga jashtë automjetit.
Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm, 5 janar 2025, në fshatin Dragoç të njësisë administrative Postribë.
Burimet thonë se i riu është gjetur i pajetë nga banorë të zonës brenda në makinë, të cilët kanë njoftuar policinë.
Arsyet dhe rrethanat e kësaj ngjarjeje ende nuk bëhen me dije, ndërsa policia nuk ka akoma një komunikatë zyrtare.
Njoftimi i policisë:
Rreth orës 07:15, në fshatin Dragoç, në rrugë, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit tip Benz, me drejtues shtetasin Ramazan Mataj, 33 vjeç, banues në Dragoç, Shkodër, i cili ka humbur jetën.
Në vendngjarje kanë shkuar shërbime të shumta të Policisë dhe Forca Kombëtare e Sigurisë, Njësia Shkodër.
Sipas policisë, është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe në drejtimin e Prokurorisë vijojnë intensivisht hetimet për zbardhjen e rrethanave dhe sigurimin e provave, me qëllim dokumentimin ligjor të rastit, identifikimin dhe kapjen e autorëve.