Vrasja e të riut që punonte si teknik kondicionerësh, Apeli vendos për 7 të pandehurit (FOTO LAJM)

Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë, në lidhje me ngjarjen e rëndë që ka të bëjë me vrasjen e të riut që punonte si teknik kondicionerësh.

Vendimi është dhënë ditën e djeshme, ndërkohë që nuk është ndryshuar asgjë nga ai vendim i një viti më parë, ku për ekzekutimin e Indrit Çelës, Gjykata dha përfundimisht dënimin me 23.4 muaj burg.

Vetëm njëri nga të zotët e vilës në të cilën punonte djali u shpall fajtor për vrasjen, duke e dënuar me 18 vite burg, por që duke aplikuar gjykimin e shkurtuar, ai do të vuajë dënimin vetëm me 12 vjet.

Pjesa tjetër e të pandehurve, përfshirë të atin e tij, vëllanë dhe katër persona të tjerë u dënuan nga një deri në 3 vite burg, pasi në të gjitha rastet u aplikua gjykimi i shkurtuar.

Të pandehurit e dënuar me vendimin e 22 prillit të vitit 2021 i çuan në Apel dënimet e tyre me qëllimin që kjo shkallë gjykimi të ndërhynte për të prishur vendimin e shkallës së parë, por Gjykata nuk e ka ndryshuar fare vendimin.

Përfundimisht është lënë e njëjta masë, për të gjithë vetëm 23.4 vite burg!

GJYKATA

Me datë 22.08.2019, në sallën operative të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë është njoftuar se në Rrugën “Muhamet Gjollesha”, është qëlluar në kokë me armë zjarri shtetasi Indrit Çela, i cili ishte duke punuar për montimin e kondicionerëve, në banesën në pronësi të shtetasit Bujar Kusi.

Shtetasi Indrit Çela është dërguar në Spitalin Ushtarak Tiranë në gjendje të rëndë shëndetësore dhe si pasojë ka gjetur vdekjen. Referuar interesimit të medias për këtë rast njoftojmë se:

Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, u zhvillua gjykimi lidhur me çështjen penale që i përket të pandehurve Griseldo Kusi, Albano Kusi, Bujar Kusi, Ferdinand Bakalli, Luan Çaka, A.I dhe A.H të akuzuar për kryerjen e veprave penale të “Vrasja me dashje”, “Mbajtja pa leje të armëve luftarake”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” “Moskallëzim i krimit” dhe “Përkrahja e autorit të krimit” të parashikuara nga nenet 76 ,278/1 , 300, 301 e 25, 302/1 dhe 305/b të Kodit Penal.