Zëvendës drejtori i Krimeve në Tiranë, Erion Ismaili ka treguar mbrëmjen e sotme detaje nga ngjarja e rëndë që ndodhi javën e kaluar në shkollën 9 vjeçare “Fan Noli” në Tiranë. Sipas tij, në vendin e ngjarjes janë konstatuar 9 nxënës, gjashtë kanë qenë shokë të Martinit dhe një i autorit, Marios.
“Në këtë vendngjarje, kemi evidentuar deri tani 9 nxënës shkolle, 6 janë nga krahu i viktimës (+Martini) dhe nga autori kemi autorin dhe një nxënës tjetër. Tre nga këta nxënës, që janë nga krahu i viktimës, nuk janë nxënës të “Fan Nolit” por janë thirrur nga viktima për të sqaruar sherrin”, u shpreh ai.
Zyrtari i lartë policor, Erion Ismaili tregoi në emisionin “Top Story” se i gjithë momenti i goditjes së Martin Canit zgjat jo më shumë se 10 sekonda.
“Më pas vijmë dhe te momenti i ngjarjes, që është rreth orës 13.00 të datës 18 Nëntor. Viktima dhe personat e tjerë në mbarim të mësimit kanë qenë jashtë rrethimit të shkollës “Fan Noli”. Viktima dhe autori kanë përshkruar një rrugë 40 metra nga vendi ku janë takuar deri te vendi i ngjarjes”, sqaroi ai.
Pjesë nga deklarata e zëvendës drejtorit të Krimeve në Tiranë, Erion Ismaili:
Policia e Shtetit, grupi hetimor që është ngritur për ngjarjen dhe Prokuroria e Tiranës, që nga momenti kur ka ndodhur ngjarja ka punuar me orar e pa orar. Për të marrë dëshmi e për të zbardhur të vërtetën, që ne të themi që gjithçka që ka ndodhur me këtë ngjarje është shteruar.
Ka dy episode që duhen theksuar, kemi një episod në datën 15 Nëntor ku jashtë ambienteve të shkollës pas mbarimit të mësimit kemi pasur një debat mes autorit dhe viktimës; pas këtij episodi ka pasur një komunikim në aplikacionin “Snapchat”, ku të dy fëmijët në dukje janë sqaruar.
Episodi i dytë është një debat me zë të lartë që ka ndodhur në oborrin e shkollës, i cili është marrë në konsideratë nga oficerit të sigurisë.
Më pas vijmë dhe te momenti i ngjarjes, që është rreth orës 13.00 të datës 18 Nëntor. Viktima dhe personat e tjerë në mbarim të mësimit kanë qenë jashtë rrethimit të shkollës “Fan Noli”. Viktima dhe autori kanë përshkruar një rrugë 40 metra nga vendi ku janë takuar deri te vendi i ngjarjes.
Në këtë vendngjarje, kemi evidentuar deri tani 9 nxënës shkolle, 6 janë nga krahu i viktimës (+Martini) dhe nga autori kemi autorin dhe një nxënës tjetër. Tre nga këta nxënës, që janë nga krahu i viktimës, nuk janë nxënës të “Fan Nolit” por janë thirrur nga viktima për të sqaruar sherrin.
Momenti i goditjes është në disa sekonda, nuk është se ka zgjatur shumë. Gjithçka është në 10 sekonda. Ne kemi marrë në konsideratë dhe dëshminë e të miturit Luis Meçaj dhe të babait të tij, i kemi analizuar, i kemi verifikuar, kemi ripyetur përsëri personat, nëse kemi të bëjmë me autor të dytë. Nga ana e Policisë janë kryer të gjitha veprimet. Deri tani mund të themi se kemi vetëm një autor.
Ka pamje të vendit të ngjarjes, jemi duke shqyrtuar edhe pamje nga zona përreth.