Drejtor i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha ka folur për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt, duke thënë se se procesi hetimor po vazhdon në disa faza.
Hoxha ka thënë se duhet të zbulohet motivi i vrasjes dhe se për këtë gjë janë duke hetuar disa pista.
“Procesi hetimor vazhdon në disa faza. Policia në këtë rast është treguar shumë efikase dhe profesionale. Në afat rekord ka sqaruar vrasjen dhe të arrestojë personat e involvuar në këtë rast. Mbetet të zbulohet për motivin e kësaj vrasje. Jemi duke hetuar disa pista, por s’mund të bëjë publike derisa të kemi të kristalizuar motivin”, ka thënë Hoxha.
Ndër të tjera ai u shpreh se sqarimet që janë dhënë nga Naim Murseli dhe personat e tjerë s’kanë qenë bindëse.
“Policia e Kosovës ka arritur nivel të lartë profesional. Edhe policët hetues që punojnë kohë të gjatë dhe kanë përvojë në hetim. Qysh në momentet e para, kemi pasur indicie që diçka nuk është në rregull. Nuk mjaftohemi me indicie, u dasht të sigurojmë prova për ta arrestuar dikë. Rasti u raportua që ka qenë grabitje. Sqarimet që janë dhënë nga vetë ai dhe nga personat tjerë s’kanë qenë bindesë për ne dhe kemi nxjerrë të gjitha faktet dhe dëshmitë. Është ekzaminu gjithë procesi, kamerat që kanë shpi deri në atë lokacion ku është kryera vrasja” , ka thënë Hoxha.
I pyetur nëse është kapur nga kamerat e sigurisë momenti i vrasjes së Liridonës, Hoxha ka thënë se në vendin ku ka ndodhur krimi nuk ka kamera.
Ndërsa për fatin e celularit të Liridonës, ai ka thënë se s’i di të gjitha detajet, por ka thënë se përmes telefonave të konfiskuar është arritur që të lidhen të gjithë personat e dyshuar për vrasjen.
“Nuk mund t’i të gjitha detajet. Por përmes dëshmive të marra nga telefonat, kemi arritur të lidhim të gjithë personat e dyshuar më këtë vrasje. Telefonat e konfiskuar po ekzaminohen nga forenzika”.
Gjithashtu ai ka paralajmëruar për arrestime të reja.
“Nuk kanë përfunduar arrestimet, kjo varet nga zhvillimet tjera që mund të dalin. S’mund të paragjykoj nëse do të ketë apo s’do të ketë. Mirëpo kjo nuk është e tëra edhe pse është sqaruar pothuajse e gjitha”, ka thënë Hoxha.