Një muaj nga vrasja e Liridona Ademajt, i vëllai: Kishim shumë plane, gjeta në shtëpi lodrat e ditëlindjes që do festonim

Dje u bë një muaj nga vrasja e Liridona Ademajt e ndërsa sot vëllai i saj Leonard Ademaj përmes një postimi në Facebook, ka falënderuar mediat, shoqërinë civile, hetuesit, prokurorët, që sipas tij janë duke kontribuar në informim dhe në zbardhjen e rastit.

Ai gjithashtu shprehet se do të vazhdojnë të për drejtësi për Liridonën.

“Ka kaluar një muaj që kur se është vrarë Liridona jonë. Kishim shumë plane bashkë. Këto ditë i gjetëm në shtëpi ballonat që i pati ble me ia festu djalit ditëlindjen.

Do t’i ruajmë ashtu siç e ruajmë çdo kujtim. Viti 2023 do të mbetet për ne vit i kobshëm që na e mori Liridonën dhe vetëm shpresa për drejtësi po na mban gjallë.

Duam t’i falenderojmë të gjithë mediat, shoqërinë civile, hetuesit, prokurorët që janë duke kontribuar në informim dhe në zbardhjen e këtij krimi.

Ka pasur raste kur jemi lënduar rëndë nga diskutimet dhe raportimet që janë bërë rreth rastit, me informacione të pasakta.

Ne shpresojmë që rastet e Liridonës dhe grave tjera të vrara të trajtohen me ndjeshmëri dhe kujdes më të madh. Ne do të vazhdojmë të avokojmë për drejtësi për Liridonën,” ka shkruar ai.