Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasin D.K. për veprën penale ‘Vrasja me dashje’ parashikuar nga neni 76 i Kodit Penal.
Nga hetimet e procedimit penal nr. 5141, të vitit 2024, rezultoi se më datë 24.08.2024 ndërroi jetë nga plagosja me thikë shtetasi A.H., ndërsa u arrestuan në flagrancë shtetasit D.K. dhe A.M.
E gjithë ngjarja nisi kur viktima A.H. dhe miku i tij, A.M dyshohet se ngacmuan me fjalë një vajzë, veprim ky që u pa nga ballkoni nga shtetasi D.K. i cili më pas u konfliktua me dy personat.
Në konflikt e sipër, ky shtetas qëlloi disa herë me mjet prerës thikë, në pjesë të ndryshme të trupit, shtetasin A.H., duke i shkaktuar më pas atij vdekjen. Ky shtetas deklaroi se personat në fjalë ngacmuan të fejuarën e tij e cila ishte nisur të takonte një të afërmen e saj dhe pasi e pa tërë skenën nga ballkoni, ai zbriti duke marrë me vete edhe një thikë, teksa pranoi se në konflikt e sipër e goditi disa herë në krah dhe në pjesën e barkut.
Bazuar sa më sipër, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, kërkoi dërgimin në gjyq të shtetasit D.K. për veprën penale ‘Vrasje me dashje’.