Vrasja e 4 policëve në Durrës/ Gjykata e Lartë dënon me burgim të përjetshëm Dritan Dajtin

Këtë të martë, Gjykata e Lartë, ka vendosur të dënojë me burgim të përjetshëm Dritan Dajtin për vrasjen e 4 efektivëve të policisë, në vitin 2009 në Durrës.

Trupa gjykuese e përbërë nga Ilir Panda kryesues dhe anëtar Sandër Simoni dhe Artur Kalaja, vendosën të pranojnë rekursin e ish-Prokurorisë për Krime të Rënda që kundërshtoi vendimin e Apelit, që e dënoi Dritan Dajtin me 25 vite burg.

Prokuroria kërkonte të lihej në fuqi vebdimi i Shkallës së Parë, teksa në shkurt të vitit 2019 Gjykata e Apelit e Krimeve të Rënda pranoi kërkesën e Dajtit për gjykim të shkurtuar, duke caktuar ndaj këtij të fundit 25 vite burg.

Dritan Dajti, do të vuajë dlnimin në një burg të sigurisë së lartë teksa akuzohet për vrasjen e efektivëve Kastriot Feskaj, Altin Dizdari, Sajmir Duçkollari dhe Fatos Xhani, ngjarje e shënuar më 7 gusht të vitit 2009, në Durrës, gjatë një operacioni për arrestimin e tij.

Sot 51-vjeç, Dritan Dajti, ka qenë një nga personat më të kërkuar në Shqipëri.

Ai u dënua fillimisht me 20 vite heqje lirie nga Gjykata e Shkallës së Parë së Tiranës, për veprën penale të vrasjes së biznesmenit Agim Beqa, në vitin 1999.

Viktima kishte nisur ndërtimin e një pallati, por ai ishte konfliktuar me disa persona.

Ditën kur do niste gjyqi ndaj tjj, Dritan Dajti u arratis në mënyrë spektakolare nga dhoma e izolimit e Gjykatës së Tiranës, më 17 nëntor 2003, vetëm.

Ai mori një pistoletë në tualetin e gjykatës, e vendosur më parë nga miqtë e tij. Me këtë pistoletë, iu drejtua policëve të togës, që kishin për detyrë ta ruanin dhe qëlloi disa herë në ajër.

Ai hipi në një motor që drejtohej nga një person tjetër, dhe u largua ndërkohë që një person tjetër ende i paidentifikuar, qëlloi disa herë me pistoletë në ajër në anën tjetër të rrugës, me qëllim tërheqjen e vëmendjes së policisë.

Njoftimi:

Prishjen e vendimit nr.13, date 08.02.2019 të Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda dhe lënien në fuqi të vendimit nr.95, datë 23.07.2014 të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda.