Mbrëmjen e së mërkurës qyteti i Elbasanit u trondit sërish nga të shtënat me armë zjarri, ku mbeti i vrarë 33-vjeçari, Madrit Ulqinaku.
Lidhur me këtë ngjarje policia arrestoi 18-vjeçarin Ejden Dino, ndërsa shpalli në kërkim Horgito Peqinin, i dyshuari kryesor për vrasje, i cili është nipi i Eduart Peqinit i njohur ndryshe si Mandela i Elbasanit, i cili ka qenë një nga krerët e bandave më të rrezikshme gjatë 1997-s.
Ndërkohë bashkë me Peqinin policia ka shpallur në kërkim edhe 33-vjeçarin Klaudjan Sallufi 33-vjeç, i cili akuzohet si bashkëpunëtor në vrasjen e Madrit Ulqinakut.
Paraditen e kësaj të enjte, policia u rikthye sërish në vendngjarje për të siguruar prova të reja.
Madrit Ulqinaku ndërroi jetë në vend, pasi u qëllua me armë zjarri sapo doli nga lokali ku po konsumonte kafe, në afërsi të bulevardit kryesor të qytetit.
Ai nuk ishte person me precedent penalë. Kohët e fundit jetonte mes Italisë dhe Elbasanit.
Ngjarja, sipas policisë ndodhi pas një konflikti të çastit. Autori i dyshuar, Horgito Peqini mendohet të jetë ndihmuar nga të paktën 2 persona të tjerë për t’u fshehur. Ndërsa policia ka sekuestruar edhe pamjet e kamerave te sigurisë për të identifikuar personat e tjerë të përfshirë në sherr.