Volodymyr Zelensky reagoi për sulmin më të fundit ndaj një rafinerie nafte në Moskë, duke paralajmëruar se Ukraina nuk do të mbetet pasive nëse Vladimir Putin kërkon vazhdimin e luftës në vend që ta mbyllë atë.
“Nëse Putini nuk dëshiron ta përfundojë këtë luftë, por kërkon vazhdimin e saj, ne nuk do të qëndrojmë duarkryq, por do të përgjigjemi”, u shpreh ai në komentet e tij për ngjarjen.
Të lidhura
None found
Presidenti ukrainas e përmblodhi mesazhin e tij me fjalët: “Nëse Ukraina digjet, atëherë do të digjet edhe Moska”.
Sipas Zelenskyt, goditja me dron e Kievit ndaj rafinerisë së naftës në Moskë ishte një kundërpërgjigje ndaj sulmit rus mbi Lavrën Kiev-Pechersk, që konsiderohet një nga simbolet historike dhe fetare më të rëndësishme të Ukrainës.
“Ne ishim në Lavra dhe unë thashë se do të përgatisim një përgjigje dhe ju do ta shihni. Mendoj se po e shihni tani”, deklaroi ai.
Zelensky përsëriti se synimi i Ukrainës mbetet përfundimi i luftës së nisur nga Rusia. “Ne nuk e duam këtë luftë dhe nuk e kemi dashur kurrë. Të gjithë e dinë këtë, dhe edhe partnerët tanë e dinë”, ishte mesazhi i tij.
Ai theksoi gjithashtu se mbrojtja ajrore e Moskës, e cilësuar si më e forta dhe më e sofistikuara në Rusi, nuk ishte në gjendje të pengonte sulmin me dronë, të cilin e përshkroi si “plotësisht të justifikuar”. Rafineria e goditur është ndër më të mëdhatë në Rusi, duke furnizuar afro 40% të tregut të karburantit në Moskë dhe pjesën më të madhe të benzinës në rajon.
