“Votat u blenë me 50 mijë lekë”, demokratët dorëzojnë provat pranë KAS

Partia Demokratike ka paraqitur provat përmes të cilave kërkon shpalljen e pavlefshmërinë dhe ripërtëritjen e zgjedhjeve në qarkun e Beratit.

PS e mori mandatin e 5-të me 77 diferencë nga LSI, kur vetëm vota të pavlefshme janë 5292. PD argumentoi se kandidatët e PS, veçanërisht, Harxhe Konomi dhe Nasip Naço kanë ngritur një skemë kriminale të blerjes së votës me 50 mijë lekë për person.

Skema është kallëzuar në SPAK që përpara zgjedhjeve dhe funksionimi i saj përmes personave që e zbatonin është paraqitur si provë në Komisionin e Apelimit dhe Sanksioneve. PD thotë se kryesuesja e listës së Beratit, Hatixhe Konomi, në bashkëpunim me drejtuesin e njësisë administrative 1 në Berat, njëkohësisht kunat i saj, Mirel Konomi, kanë shpërndarë 50 mijë lekë për vitë, kupona për karta identiteti dhe 30 mijë lekë plus kuponit. Për identifikimin e tyre kanë përdorur rregjsitrin e Gjendjes Civile, që është përdorur në masë për zbarimin e kësaj skeme kriminale për blerjen e votave. Në lidhje me Nasip Naçon, PD tha në KAS se  i katërti në Qarkun e Beratit për PS ka blerë vota me 50 mijë lekë në komunën Velebisht, në bashkëpunim me Lorenc Toroveli, të gjithë këta të kallëzuar në SPAK. PS theksoi se këto akte kanë cënuar rëndë procesin zgjedhor me qëllim deformimin e rezultatit të zgjedhjeve dhe ndarjen e mandateve.

“Partia Demokratike ka denoncuar në mënyrë të vazhdueshme faktin se në zonën zgjedhore Qarku Berat nuk kishte përballë saj një parti politike dhe kandidatët e saj që garonin me një ofertë politike, por pushtetarë që vepronin si grupe të strukturuara kriminale që blinin vota, kërcënonin qytetarët, intimidonin nëpunësit publikë, shpërndanin leje legalizimi/ndërtimi, licensa dhe shpërblime të ndryshme.”- u shprehën përfaqësuesit e PD në kërkesën për përsëritjen e zgjedhjeve në Qarkun e Beratit.

Në qarkun e Beratit PS mori 5 mandate, PD 2, ndërsa LSI nuk mori asnjë mandat.


Shtuar 14.05.2021 11:12