27-vjeçari Kristian Fusha është lënë në burg nga Gjykata e Tiranës. Vendimi është marrë sot nga trupi gjykues, ku Fusha u paraqit i penduar.
Para policisë Kristian Fusha tha se shtëpia që kishte grabitur, për të cilën u vu në pranga, është e kunatës së tij, motrës së të fejuarës.
Ai tha se paratë i duheshin pasi do të bëhej operacion, ndërsa dokumentet që kishte gjetur brenda kasafortave i kishte hedhur në Shkodër.
“Do operoja këmbën dhe vodha shtëpinë e motrës së të fejuarës, nuk kisha çfarë të bëja. Më duheshin para. Paratë i prisha, pasaportat dhe dokumentet i hodha në Shkodër,”- tha Fusha.
Kristian Fusha u vu në pranga dy ditë më parë, ai u fut brenda një shtëpie në lagjen e Ali Demit në Tiranë nga ku bashkë me një person tjetër mori dy kasaforta. Brenda kasafortave kishte 2 milionë lekë të vjetra dhe dokumente të ndryshme.
Njoftimi i policisë për arrestimin:
Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 1, operacioni policor i koduar “Kasaforta”.
Vodhën, në një banesë, 2 kasaforta me shuma parash, vihet në pranga 27-vjeçari i dënuar më parë për të njëjtën veprimtari kriminale, si dhe shpallet në kërkim bashkëpunëtori i tij.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve, zbardhjen e atyre të ndodhura më parë dhe vënien e autorëve para përgjegjësisë ligjore, pas një pune të mirëfilltë hetimore, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin “Kasaforta”, si rezultat i të cilit u vu në pranga shtetasi:
– K. F., 27 vjeç, për veprën penale “Vjedhja”, i dënuar më parë për të njëjtën veprimtari kriminale.
Gjithashtu u shpall në kërkim shtetasi M. N., 23 vjeç, për lokalizimin dhe kapjen e të cilit vijon puna nga ana e strukturave të Policisë.
Nga tërësia e veprimeve hetimore ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, më datë 14.07.2022, kanë vjedhur, në një banesë, në lagjen “Ali Demi”, 2 kasaforta me 100 000 lekë të rinj dhe mjete identifikimi. Gjithashtu, rezulton se shtetasit K. F. dhe M. N. janë autorë edhe të disa vjedhjeve të tjera në banesa, për të cilat vijon puna, me qëllim dokumentimin e tyre me prova ligjore./albeu.com