VOA: Me 77 vota pro Kuvendi i Shqipërisë i jep “OK’ programit dhe përbërjes së qeverisë Rama 3

Në Tiranë, Kuvendi miratoi sot në orët e para të ditës programin e punës dhe përbërjen e qeverisë së re të Partisë Socialiste, e cila fitoi zgjedhjet e përgjithshme të 25 prillit për një mandat të tretë qeverisës.

Në fund të seancës, pas afro 20 orë diskutime, programi qeverisës u miratua me 77 vota pro, 52 kundër dhe 1 abstenim.

Nga 16 anëtarë të qeverisë së re,12 janë gra, që do të drejtojnë në diplomaci, ekonomi, energji, arsim, shëndetësi, mjedis, bujqësi e kulturë.

Ceremonia e betimit të qeverisë së re pritet të zhvillohet nesër para Presidentit Ilir Meta.

Zoti Meta deklaroi sot se situata politike pas zgjedhjeve të 25 prillit është shumë më e mirë se gjendja para zgjedhjeve dhe se janë të gjithë kushtet për demokraci funksionale, që zëri i qytetarëve të dëgjohet dhe premtimet ndaj tyre të mbahen.

Ai tha se shpresonte që opozita të përmbushë përgjegjësitë e saj në Kuvend, institucionet të funksionojnë me integritet dhe presidentit të mos i kërkohet të marrë përsipër detyra, që u takojnë aktorëve të tjerë politikë.

Ndërkaq, Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, kritikoi qeverinë e re, duke thënë se ajo është në aleancë me botën e krimit.

Zoti Basha shtoi se i qëndronte deklaratës së tij për largimin e ish-kryetarit të partisë, Sali Berisha, nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike.

“Aleanca dhe partneriteti i Partisë Demokratike me SHBA-të janë të pacënueshme” – theksoi zoti Basha./VOA/


Shtuar 17.09.2021 17:08