Vjosa Osmani flet për raportet me Edi Ramën, tregon se për çfarë nuk bie dakord me të

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se nuk ka çarje në raportet e saj me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, por ka çështje për të cilat nuk pajtohet me të. Ajo tha se nuk pajtohen për çështjen e Ballkanit të Hapur, pastaj me qëndrimin e kryeministrit shqiptar sa i përket Serbisë, veçmas lidhur me luftën në Kosovë, kur sipas Osmanit, krimet dhe gjenocidin serb në Kosovë Rama i quan spastrim etnik.

Presidentja Osmani, duke folur për raportet me kryeministrin Rama, tha se “nuk ka çarje që ka të bëjë me raporte ndërpersonale, sepse ato janë tërësisht të parëndësishme dhe do të jenë gjithnjë të parëndësishme”.

“Republika e Kosovës dhe Republika e Shqipërisë kanë dhe do të kenë gjithnjë raporte vëllazërore dhe kjo nënkupton që ne e përkrahim kudo që mundemi dhe Shqipëria na përkrah neve si Republikë e Kosovës kudo që mundet”, tha Osmani.

Ajo tha se nuk ka pasur rastin ta takojë kryeministrin Rama, sepse fokusi i saj ka qenë që të merr përkrahjen e shteteve, “të cilën [përkrahje] nuk e kemi akoma dhe jo përkrahjen e shteteve të cilën e kemi. Dhe, natyrisht që përkrahjen e Shqipërisë, sa i përket anëtarësimit në organizata ndërkombëtare, ne e kemi të qartë”.

“Nuk kam nevojë unë ta bind Shqipërinë që të votojë pro Kosovës, ta zëmë në Këshillin e Evropës, por kam nevojë që t’i bind shumë shtete të tjera që janë anëtare të Këshillit të Evropës që të na përkrahin në këtë proces të anëtarësimit dhe fokusi i takimeve bilaterale ka qenë aty”.

“Sa u përket çështjeve, të cilat na ndajnë, ne jemi pajtuar për të mos u pajtuar sa i përket çështjes së Ballkanit të Hapur dhe pastaj ka çështje të tjera të cilat unë, thjesht, nuk kam nevojë t’ju tregoj juve se çfarë qëndrimi ka Shqipëria, sepse ai qëndrim është publik”, tha ajo.

Osmani gjithashtu tha se është publik qëndrimi i kryeministrit Rama sa i përket Serbisë dhe mund ta gjeni në fjalimet e tij.

“Është publik qëndrimi i tij ku i quan krimet në Kosovë thjesht spastrim etnik, kurse ato në Bosnje gjenocid, kur, në fakt, ju e dini shumë mirë se edhe gjykatat ndërkombëtare, përfshirë ICTY-në, kanë vendosur që në Kosovë janë kryer krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Dhe, ne jemi të bindur që do të dëshmohet shumë shpejt edhe gjenocidi i kryer në Kosovë, sepse qëllimi i Serbisë nuk ka qenë thjesht t’i dëbojë kosovarët, qytetarët shqiptarë nga Kosova. Qëllimi ka qenë shfarosja e popullit të Kosovës”, tha Osmani.

Ajo tha se “mjafton të shihni se si janë kryer disa nga masakrat më makabre, përfshirë [ato]në Gjakovë, në Poklek të Drenasit… në Prekaz, në Mejë të Gjakovës, në Reçak e shumë vende të tjera, për ta kuptuar se qëllimi ka qenë shfarosja dhe jo vetëm dëbimi”.

“Pra, të reduktohet kjo thjesht në dëbim, është dëm i madh ndaj gjithë sakrificës së popullit shqiptar”.

“Natyrisht, këto nuk janë çështje që unë kam nevojë t’i them, por meqenëse po pyesni, po e sqaroj se në qoftë se dikush – pavarësisht kush është, në Kosovë, në Shqipëri, madje edhe në SHBA dhe Evropë – thotë që në Kosovë është kryer vetëm spastrim etnik, natyrisht se përgjigja jonë është që edhe vetë NATO-ja kur ka ndërhyrë në Kosovë, ka dhënë deklaratë zyrtare që po ndërhyn për ta ndalur gjenocidin që po ndodhte në Kosovë”, tha Osmani.

Më tej ajo tha se “Kancelari [Olaf] Scholz, në konferencë për media me [presidentin rus, Vladimir] Putinin e tha që në Kosovë ka qenë duke ndodhur gjenocid, prandaj kemi ndërhyrë. Pra, në fytyrë ia tha Putinit që në Kosovë ka qenë duke ndodhur gjenocid. Presidenti [amerikan Joe] Biden e ka thënë këtë punë në Senat në atë kohë kur ishte senator përgjatë luftërave në Bosnje dhe në Kosovë, prandaj e tëra që ne kërkojmë, është që të thuhet e vërteta dhe vetëm e vërteta”.

“Nuk kemi nevojë të shpikim, sepse e vërteta është mjaftueshëm e tmerrshme rreth asaj se çfarë i ka ndodhur popullit shqiptar në Kosovë nga regjimi gjenocidal i Millosheviqit. Është me rëndësi për ne – sidomos tani që Serbia udhëhiqet nga ministri i propagandës së Millosheviqit – që ta themi të vërtetën për popullin shqiptar në Kosovë dhe për sakrificat, si dhe për krimet e tmerrshme që janë kryer kundër nesh, në mënyrë që të kemi mundësi që të trasojmë rrugën drejt drejtësisë, sepse viktimat në Kosovë meritojnë drejtësi”.

Ajo gjithashtu tha se “mijëra gra të dhunuara meritojnë drejtësi, familjet e të zhdukurve meritojnë drejtësi. Fëmijët e vrarë, të masakruar e të djegur madje për së gjalli – kemi numrin më të madh nga të gjithat luftërat në ish-Jugosllavi – ata meritojnë drejtësi dhe për të kërkuar drejtësi, për të qenë të suksesshëm në drejtësi, ne duhet ta themi të vërtetën dhe vetëm të vërtetën”.

“E vërteta e Kosovës është që kundër popullit që unë përfaqësoj, është kryer gjenocid. Spastrimi etnik ka qenë vetëm një element, andaj të reduktohet në të, është diçka që kërkon që secili prej nesh në Republikën e Kosovës ta ngrejë zërin”, tha presidentja Osmani, për REL.


Shtuar 7.10.2022 21:51