“Ne jemi për gjetjen e një zgjidhjeje në dialog, por gjëja më e rëndësishme është ndalimi i aktiviteteve të luftës, agresionit dhe vrasjes së civilëve”, tha kryeministri malazez Dritan Abazovic për RTCG pas vizitës në qytetet ukrainase të Borodjanka dhe Irpin, të cilat u prekën nga shkatërrimi i luftës.
Abazoviç, i cili ndodhet së bashku me Ramën në Kiev, tha se ata patën mundësinë të vizitojnë qytetet e shkatërruara nga lufta dhe panë një katastrofë të madhe humanitare.
“Është tragjike ajo që pamë dhe dëgjuam, infrastruktura u shkatërrua, dhe përfundimi është i thjeshtë – duhet të jemi krenarë për qytetarët e Malit të Zi që zgjodhën paqen. Paqja nuk ka çmim, paqja është gjithçka që na nevojitet”, tha kryeministri për RTCG.
Përpara një takimi me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, Abazovic tha se ata ishin “aty për të mbështetur vendin”.
Kryeministri i Malit të Zi njoftoi se sot do të ketë një deklaratë të përbashkët me kryeministrin e Shqipërisë.
“Ne jemi dëshmitarë të ferrit të shkatërrimit të luftës”, shtoi ai.
Kujtojmë se Abazoviç udhëtoi drejt Kievit me kryeministrin Edi Rama, ku kanë parë nga afër masakrat e kryera nga ushtria ruse.
Pritet që ata të zhvillojnë në vijim një sërë takimesh të nivelit të lartë, mes tyre edhe me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky./abcnews.al/